Pamje nga momenti i grabitjes së dyqanit - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Brenda Dy Javësh Hajnat ia Thyen Dy Herë Dyqanin

Brenda dy javësh, Arbër Mehmetit hajnat dy herë ia kanë thyer dyqanin në rrugën “Muharrem Fejza”, në Prishtinë.

“Po kemi telashe të mëdha prej vjedhjeve. Këtë 15 ditëshin e fundit janë dy vjedhje që më janë bërë mua në dyqan. Tash kjo vjedhja para dy-tre dite ka qenë pak më e madhe edhe me dëme më të mëdha për biznesin tonë që është biznes i ri aty në lagje”, thotë ky qytetar.

Në herën e fundit, që ka ndodhur më 11 mars, hajnat kanë vjedhur mall në vlerë deri në 700 euro.

“Në vjedhjen e fundit diku janë 600 deri në 700 euro. Nuk mundem me thanë që është 100 për qind e saktë kjo shumë për shkak se produktet e bizhuterisë që i kemi, të orëve kanë çmime variabile edhe nuk mundemi me ditë saktë sa është”, tha ai.

Arbër Mehmeti është shprehur i shqetësuar nga këto raste, për të cilat thotë se i kanë shkaktuar stres dhe telashe për funksionimin e biznesit.

Në biznesin e tij dhe në biznesin tjetër të babait të tij kanë ndodhur gjithsej gjashtë vjedhje në tri vitet fundit.

“Në dyqanin e babës po ashtu kanë tentuar ose kanë realizu katër herë vjedhje, në dy prej tyre kanë realizu vjedhje, dy kanë mbetur veç tentim. Është një situatë që më nuk po dimë më në çfarë forme me u mbrojtë ose qysh me vepru”, tha ai.

Pronari i biznesit të dëmtuar ka thënë se katër rastet e vjedhjes i kanë paraqitur në Polici kurse dy prej tyre nuk i kanë paraqitur për shkak se kanë qenë vetëm tentim për vjedhje.

“Rastet i kemi lajmëru në Polici, deri sot nuk e di që Policia ka marrë ose ka zbulu diçka rreth këtyre ngjarjeve që na kanë ndodhë neve”, tha ai.

Mehmeti thotë se nuk pret që do të zbardhen rastet e vjedhjes në dyqanin e tij.

Ai e ka edhe hallin e punëtorit, për të cilin thotë se nuk po ndihet i sigurt në vendin e punës.

“Këto ndodhin në mbrëmje, vjedhja e parë këtë muaj nëse nuk gaboj ka ndodhë në ora 03:40 kjo e fundit ka ndodhë saktë në ora 4:39 në mëngjes”, shtoi ai.

Arbër Mehmeti tregon se biznesi i tij është i pajisur me kamera dhe se në bazë të pamjeve shihet që personat që i hynë në dyqan kishin të vendosura kapele dhe shalle.

“Çka shihet aty mirë shihet se personat na frekuentojnë neve si dyqan për shkak se dinë ku gjendet arka, si në herën e parë, po ashtu edhe në të dytën, e dinë ku i kemi produktet të cilat janë pak më të shtrenjta në dyqanin tonë edhe shkojnë fokusohen direkt te këto produkte”, thekson Arbër Mehmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë për këtë rast, por ende nuk ka marrë përgjigje.