Magjistralja Kaçanik - Hani i Elezit e bllokuar - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Banorët e Hanit të Elezit kërkojnë të lirohet rruga e bllokuar

Bllokimi i rrugës magjistrale Kaçanik-Hani i Elezit po u shkakton probleme banorëve e bizneseve të kësaj ane.

Gjatë ditës së sotme banorë të Hanit të Elezit e të Kaçanikut kanë protestuar para bllokadës, e cila është vendosur tek vendi i quajtur “Kulla me Qeshme”.

Banorët po kërkojnë të gjendet një mundësi tjetër nga rruga alternative, të cilën janë të detyruar ta shfrytëzojnë që nga dita e bllokimit të magjistrales.

Për vështirësitë që paraqet për banorët dhe bizneset rruga alternative Hani i Elezit – Gorancë – Glloboçicë foli edhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

“Siç dihet për shkak të rrëshqitjeve të dheut në rrugën e quajtur “Kulla me Qeshme”, Ministria e Infrastrukturës ka marrë  vendim që të mbyllë rrugën në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit, deri në sanimin e kësaj gjendje. Por tani për tani janë paraqitur probleme të shumta për qytetarët. Në një farë mënyrë kemi një izolim jo vetëm prej Hanit të Elezit por edhe në disa fshatra të Kaçanikut”, tha Suma për KALLXO.com.

Ai shtoi se rruga alternative është e ngushtë, krijohen kolona, ka aksidente dhe kamionët që kalojnë andej e dëmtojnë rrugën.

“Kur kemi lëvizje të mëdha të kamionëve në rrugën alternative në dy drejtime, kemi bllokada të rrugëve për shkak se në disa segmente ka rrëshqitje të dheut dhe lirisht mund të themi se ajo rrugë është më e rrezikshme se sa ajo që është bllokuar. Po ashtu kemi aksidente çdo ditë në atë rrugë”, tha Suma.

Si mundësi për ta tejkaluar këtë bllokadë, Suma tha se ka kërkuar nga “Trainkos” dhe “Infrakos” të lëshohet në qarkullim një tren i cili mund të bart banorët deri në Kaçanik.

Rufki Suma kritikon Ministrinë e Infrastrukturës se ka anashkaluar dy komunat e prekura, duke mos i njoftuar me zhvillimet.

“Ministria e Infrastrukturës nuk është koordinuar, nuk na ka njoftuar në lidhje me bllokimin e magjistrales por ne krejt çka kemi kuptuar ka qenë përmes mjeteve të informimit”, tha Suma.

Sipas kryetarit Suma, vështirësi po hasin edhe nxënësit të cilët vijojnë mësimet jashtë Hanit të Elezit.

Kërkesa e kryetarit Suma drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës është vënia në qarkullim e trenit, pasi që hekurudha i plotëson kriteret.

E banori i Hanit të Elezit, Fehmi Meliqi, thotë se më e rrezikshme është rruga alternative se magjistralja e bllokuar.

“Problemet e para që janë, nëse kemi rast që kemi ndonjë të sëmurë është shumë problem dhe duhet me shku përmes rrugës alternative. Është rrugë shumë e keqe, ka kthesa, nuk ka mbrojtëse, është rrugë e largët, rrezikshmëri shumë. Kemi pasë prej Hanit të Elezit 12 kilometra e tash janë shtu 50 kilometra”, tha Meliqi.

Sipas këtij banori, Ministria e Infrastrukturës duhet të bëjë një zgjidhje sa më shpejt dhe se magjistralja duhet të ndalohet për të gjithë, e jo dikush të kalojë e dikush jo.

KALLXO.com ka qëndruar edhe afër bllokadës së krijuar në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit, dhe në pamje mund të shihet se si kamionët e Bechtel Enkas dhe disa kamion të tjerë që bartin materiale të ndryshme, kalojnë përmes asaj bllokade e cila është vendosur pasi është cilësuar rrezikshmëri në atë rrugë.

Një banor tjetër, Fatmir Makolli, thotë se kanë probleme me bartjen e mallit ndërsa shton se rruga alternative është shumë e ngushtë dhe se çdo ditë në të ndodhin aksidente.

“Jam shofer i kamionit, me këtë punë e mbajmë familjen , jemi që 10 ditë të bllokuar sot na kanë blloku me pemë e perime, mbi 20 tonë mall janë prishë”, tha Makolli.

Më 8 maj është mbyllur për qarkullim rruga nacionale Kaçanik – Hani i Elezit për shkak të rrezikut që paraqet për qytetarët shembja e kodrës, plasaritja e së cilës është zgjeruar.