Foto: Kallxo.com

VIDEO - Art e sport për viktimat në trafik

Nën moton “T’i kujtojmë ata që shkuan, për t’i ruajt këta që janë”, Qendra për Zhvillim Multikulturor- Impakt ka përkujtuar viktimat që kanë humbur jetën në komunikacion.

Për të shënuar këtë ditë, në rrugët “Garibaldi”, “Agim Ramadani”, dhe “Luan Haradinaj” në Prishtinë janë shfaqur tri performanca artistike në mënyrë paralele për të përkujtuar viktimat e komunikacionit rrugor.

Të përfshirë në këtë aktivitet ishin Policia e Kosovës, Qendra e Mjekësisë Urgjente dhe Qendra për Zhvillim Multikulturor- Impakt.

Në rrugën “Garibaldi”, violinisti Arsim Gashi, ka performuar një pjesë artistike duke përfunduar si viktimë e komunikacionit rrugor.

Naim Berisha, ideator i performancave, tha se për shkak të numrit të madh të aksidenteve që ndodhin në Kosovë, dita vendore e përkujtimit të viktimave të komunikacionit rrugor shënohet që nga viti 2011.

Berisha tha se performancat u zhvilluan në mes të rrugës në mënyrë që të ketë ndikim më të madh te shoferët për kujdes gjatë vozitjes.

“Kjo performancë sot ishte vendosë  në mes të rrugës për të dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë mesazhin dhe impaktin tek pjesëmarrësit në komunikacion, e veçmas tek shoferët”, tha Berisha.

Ai shtoi se mesazhi i perfomancave ishte se për shkak të aksidenteve, po vritet ardhmëria e vendit.

“Mesazhi i performancave të sotme ishte që çdo ditë ne në rrugë  po e vrasim ardhmërinë tonë, po i vrasim instrumentalistët ose respektivisht muzikantët e ardhshëm, po i vrasim futbollistët, po i vrasim aktorët e ardhshëm, po e vrasim të ardhmen tonë”, u shpreh Berisha.

Ndërsa Bujar Gashi, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, tha se numri i aksidenteve në trafik është çdo herë në rritje.

“Numri i aksidenteve dhe tragjedive të cilat ndodhin në trafik e ka një kontinuitet, sidomos kohëve të dimrit është më i madh për shkak të kushteve atmosferike, mirëpo rritjen e kemi evidente çdo herë”, tha Gashi.