FOTO ARKIV

VIDEO - Aksident në Autostradë, e Përfshirë edhe Vetura Zyrtare

Në një aksident në autostradën Prishtinë- Pejë, në afërsi të Komoranit, raportohet se ka edhe të lënduar.

KALLXO.com posedon video të xhiruar pak pasi u shkaktua ky aksident në të cilin shihen se kanë qenë të përfshira dy vetura. Njëra nga veturat e përfshira ka dalë jashtë rrugës.

Në aksident ka qenë e përfshirë edhe një veturë zyrtare.

“Ju konfirmoj se sot rreth orës 12:20, në rrugën Pejë- Prishtinë, afër Komoranit është raportuar për një aksident trafiku me lëndime. Dy automjete janë të përfshira, përderisa njësitet relevante policore janë në vendngjarje duke kryer procedurat e nevojshme për identifikim te shkaqeve dhe hetimin e rrethanave të aksidentit”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Aksidentet e trafikut janë shpeshtuar kohëve të fundit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Policisë te ngasësit për kujdes të shtuar në trafik.

“Policia edhe një herë apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve që të jenë më të kujdesshëm gjatë vozitjes së automjetit sepse pakujdesia gjatë vozitjes po rezulton me pasoja të mëdha shpesh herë edhe humbje tragjike të jetëve njerëzore”, tha zëdhënësi Hoxha.