Ismajl Smakiqi - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Akreditohet Akademia e Kosovës për Siguri Publike

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve javën e kaluar ka akredituar Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri.

Drejtori i kësaj Akademie, Ismajl Smakiqi, tha për KALLXO.com se pas një procesi dyvjeçar është bërë edhe validimi i programeve profesionale në këtë Akademi.

“Në javën e kaluar, Këshilli Drejtues i Autoriteti Kombëtar të Kualifikimeve  ka bërë validimin e programeve profesionale, të pesë agjencive të Sigurisë Publike… dhe akreditimin e Akademisë si institucion të zhvillimit të këtyre programeve profesionale” tha Smakiqi.

Në bazë të këtyre programeve, Akademia e Sigurisë Publike ofron trajnime të punësimit për zyrtarë doganorë, policë, zjarrfikës, shërbimin korrektues, dhe Inspektoratin Policor, të cilët trajnohet për punën e tyre të mëtutjeshme.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Foto: Kallxo.com

“Akademia e ka marrë akreditimin institucional dhe validimin e këtyre programeve profesionale, në bazë të së cilave edhe deri më tani janë zhvilluar trajnimet e punësimit, të atyre që pranohen nga agjensionet, vijnë në akademi, i kryejnë këto trajnime profesionale dhe pastaj kthehen në agjensi të gatshëm për të marrë detyrën e tyre si polic i ri ose zjarrfikës ose doganier”, tha Smakiqi për KALLXO.com.

Ai tregoi edhe procesin e këtyre trajnimeve në Akademinë e Sigurisë Publike, duke e marrë si shembull trajnimin e zyrtarëve policorë.

“Vijnë në Akademi, kalojnë një muaj e gjysmë ose dy, pastaj dalin në trajnim fushor pastaj gjatë kësaj kohe zhvillojnë ligjërata të drejtpërdrejta me instruktorë të armëve të zjarrit, trafikut, shkathtësive operative pothuajse të gjitha modulet që janë të nevojshme t’i ketë një zyrtarë policor. Pastaj dalin në teren për trajnime fushore për një kohë, kthehen përsëri në akademi dhe në fund marrin diplomë të zyrtarit policor”, tha Smakiqi.

Ai ka treguar se Akademia pritet që të akreditohet edhe ndërkombëtarisht nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ismajl Smakiqi. Foto: Kallxo.com

“Pas një planifikimi dhe pune një vjeçare, në këtë javë janë ekspertë  nga SHBA, që po bëjnë vlerësimin e akademisë me një fund eventual, ne po shpresojmë në akreditimin  Ndërkombëtar të akademisë, e cila ofron trajnime”, tha Smakiqi.

Smakiqi sqaroi se është hera e parë që një Akademi policore e sigurisë publike jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës akreditohet nga ky Asociacion, i cili akrediton të gjitha akademitë policore në SHBA.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Foto: Kallxo.com