Foto: KQZ

BE Vëzhgon Zgjedhjet Lokale, Bën Thirrje për Proces të Rregullt

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova, bëri thirrje sot që zgjedhjet lokale të 22 tetorit të jenë në përputhje me standardet e kërkuara ndërkombëtare.

Këtë kërkesë ajo e bëri pasi nënshkroi një marrëveshje me kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka e cila i mundëson BE-së që ta vëzhgojë procesin zgjedhor.

“Kur ne i ftojmë politikbërësit e Kosovës që të fokusohen në reforma, në çështjet me rëndësi për njerëzit dhe jetën e tyre të përditshme, duhet ta dini se e bëjmë këtë sepse ne dëshirojmë që Kosova të ketë sukses. Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kontribut i rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi”, tha Apostolova.

Ndërsa kryesuesja e KQZ-së Daka u shpreh se për këtë komision, vëzhgimi i zgjedhjeve është njëra nga pjesët thelbësore të një procesi zgjedhor dhe se nënshkrimi i këtij Memorandumi është shprehje e përkushtimit të këtij institucioni për avancimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

“Si çdo herë, Misioni Vëzhgues i Bashkimit Europian është i mirëseardhur në Kosovë. Ky mision ka qenë prezent edhe në zgjedhjet e 11 qershorit dhe KQZ-ja ka adresuar me seriozitet rekomandimet preliminare të këtij misioni, për çfarë ka hartuar një Plan Veprimi për zbatimin e tyre”, tha Daka.

Ajo u bëri thirrje mediave, subjekteve politike të certifikuara, organizatave vendore e ndërkombëtare të specializuara në fushën e zgjedhjeve si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja që t’i dorëzojnë në KQZ kërkesat e tyre për akredimin e tyre si vëzhgues të zgjedhjeve.