Komisioneret Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko gjatë seancës dëgjimore me prokuroren Besa Nikëhasani, të mbajtur në Tiranë më 17 prill 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Vetingu djeg prokuroren Besa Nikëhasani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten nga fuksioni prokuroren e apelit Besa Nikëhasani, pasi procesi i rivlerësimit ka zbuluar se ajo nuk e justifikon pasurinë e saj të deklaruar me burime të ligjshme.

Trupa gjykuese e udhëhequr nga Suela Zhegu, relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Pamela Qirko deklaroi se në përfundim të procesit të rivlerësimit prokurorja Nikëhasani nuk konfirmohej në detyrë.

Besa Nikëhasani, e cila ushtron detyrën pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër dhe ishte njëkohësisht kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, është prokurorja e parë që shkarkohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

KPK ka larguar tashmë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dhe gjykatësin e Apelit Durrës Besim Trezhnjeva, ndërkohë që ka ka konfirmuar gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha.

Ndërkohë që prej fillimit të punës së KPK 11 subjekte – përfshi ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, kanë dhanë dorëheqjen duke iu shmangur procesit. Dosja e Imerajt i është referuar pokurorisë nga KPK për hetime penale.

Vendimi për largimin nga detyra të Nikëhasanit është bazuar vetëm në kontrollin e pasurisë. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Hetimi i KPK-së është përqendruar në një apartament banimi në Lezhë- i deklaruar në vitin 2004, një apartament me sipërfaqe 87 m2 në Shëngjin, një njësi shërbimi 150 m2 në Lezhë, një apartament  90 m2 dhe 2 garazhe në Tiranë si dhe një automjet Toyota Land Cruiser.

Sipas KPK-së, prokurorja Nikëhasani nuk justifikon me dokumente ligjore pronësinë e apartamentit të deklaruar në vitin 2004, që është edhe burimi i pasurisë për blerjen e apartamentit në Shëngjin dhe njësisë së shërbimit në Lezhë. Gjithashtu, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e apartamentit në Tiranë prej 90 m2 si dhe blerjen e një automjeti “Toyota Land Cruiser” me vlerë 19,500 euro.

Prokurorja Nikëhasani i mohoi akuzat se e ka fshehur pasurinë.

“Nuk kam fshehur asnjë presje,” deklaroi ajo pas seancës.