Foto: Facebook

Vetëvendosje Zgjedh Sot Kryetarin

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje do të votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e ri.

Votimet do të bëhen sipas parimit një anëtar – një votë.

Vendvotimet do të hapen në komunat e ndryshme të Kosovës dhe në mërgatë nga ora 10:00 dhe do të mbyllen në 19:00.

VV thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet dhe se adresat e vendvotimeve janë bërë të ditura për anëtarësinë.

Pas mbylljes së procesit të votimit do të fillojë procesi i numërimit të votave.

Me përfundimin e numërimit të votave, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të bëjë shpalljen e rezultateve paraprake për votat “për”, “kundër” dhe “abstenim”.

Në garë për kryetar të VV-së është vetëm një kandidat – Albin Kurti.

Zgjedhjet në Vetëvendosje vijnë pas përçarjeve dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të saj.

Kujtojmë se dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në organet e partisë ka dhënë edhe kryetari i VV-së, Visar Ymeri.

http://kallxo.com/visar-ymeri-jep-doreheqje-nga-funksionet-e-partise/

Ndryshe, Ymeri kishte marrë kreun e Vetëvendosjes më 1 mars 2015.

Mandati i tij në krye të VV-së skadonte në shkurt 2018 kur edhe do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e brendshme të subjektit.

Por, gjërat u përshpejtuan pas shpërthimit të krizës në këtë parti sidomos pas publikimit të një bisede në “viber” mes zyrtarëve të këtij subjekti, ku Albin Kurti ofendohej nga Aida Dërguti.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/

Duhet theksuar se Vetëvendosje gjatë mandatit të kryetarit Visar Ymeri u rrit si subjekt duke dyfishuar madje votat dhe rezultatet në zgjedhjet lokale e parlamentare.

Ish-kryetari, ndërkaq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një subjekti të ri pas zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje.