Vetëvendosje: Të Zbatohen Kërkesat e Miratuara në Kuvend për Aktivistët e Dënuar

Me anë të një konference për media, deputetja e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci dhe deputeti Liburn Aliu, kërkuan zbatimin e kërkesave të miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Nagavci kërkoi që në seancën e 22 shkurtit të Gjykatës së Apelit, e cila po mbahet për gjykimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të ketë mundësi korrigjimi i dënimit siç e quajti ajo të padrejtë dhe politik.

“Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, përjashtuar rastin e Astrit Deharit që do të hetohet veçmas”, ishte njëra ndër kërkesat që përmendi Nagavci.

Ajo kërkoi edhe hetimin dhe gjendjen e përgjegjësit të Policisë së Kosovës, të cilët sipas saj janë të përfshirë në inskenimin e sulmit të Kuvendit më 4 gusht të vitit 2016.

Një kërkesë tjetër ishte hetimi dhe marrja në përgjegjësi ligjore e personave përgjegjës ‘në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve të LVV dhe vdekjen e Astrit Deharit’.

Deputeti Liburn Aliu, gjatë konferencës ka thënë se nuk mund të ketë hetim për deri sa nuk ka shkarkim të personave përgjegjës në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit dhe dënimit të aktivistëve të LVV.

Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg, në lidhje me rastin e sulmit ndaj Kuvendit më 4 gusht të vitit 2016.