Dardan Molliqaj në një konferencë të VV-së - Foto: KALLXO.com

‘Vetëvendosje’ Pretendon Alibinë e Aktivistëve

Në një konferencë për medie, sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj duke folur për pesë aktivistët e VV-së të dyshuar për sulmin e 4 gushtit në Kuvend, shfaqi pamje të vendndodhjes së tyre të marra nga kamerat e sigurisë në momentin kur u sulmua ndërtesa e Kuvendit.

Molliqaj, duke i konsideruar pamjet një alibi për të dyshuarit, tha se këto pamje ku jepeshin edhe detaje me fjalë se ku ndodheshin fizikisht aktivistët e dyshuar i ka edhe policia, forenzika e prokuroria.

“Disa nga kamerat e sigurisë që i paraqitëm sepse sigurisht ka edhe më shumë pamje, tashmë e kemi siguruar që edhe policia i ka këto pamje. Pra për këta aktivistë dëshmitë i kanë edhe forenzika,” tha Molliqaj.

Molliqaj foli për pesë aktivistët, pasi atyre iu vazhduan masat e sigurisë edhe për një muaj.

Ai shprehu habi që këta aktivistë akuzohen për të njëjtën vepër, ndërsa i kanë të ndryshme masat e sigurisë.

Dje KALLXO.com shkroi që Gjykata Themelore në Prishtinë ua vazhdoi paraburgimin Atdhe Arifit e Egzon Halitit, ndërsa arrestin shtëpiak Adea Batushës e Frashër Krasniqit. Masa iu zbut Petrit Ademit nga arrest shtëpiak në paraqitje një herë në javë në polici.

http://kallxo.com/aktivisteve-te-vv-se-u-vazhdohen-masat-e-sigurise/

Duke pretenduar alibi edhe për të tjerët, Molliqaj tregoi pse Petrit Ademit iu zbut masa.

“Prokurori dhe gjyqtari thonë se arsyeja kryesore që Petrit Ademi, ka masën e ndryshme është për shkak të alibisë që e ka tregu,” tha Molliqaj.

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe tani më i ndjeri Astrit Dehari u arrestuan nga policia më  30 gusht, nën dyshimet për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.