Aktiviteti i Lëvizjes "Vetëvendosje" | Foto: KALLXO.com

‘Vetëvendosje’ Numëron Dështimet e Komunës së Pejës

Punësimet partiake të militantëve të LDK-së dhe PDK-së dhe keqpërdorimet e parasë publike  nga zyrtarët komunalë ishin disa nga dështimet e numëruara para objektit të  Komunës  së Pejës nga  dega e Lëvizja  “Vetëvendosje” në ketë qytet.

Kryetari i Degës së Vetëvendosjes në Pejë, Bashkim Lajçi, tha gjendja ekonomike e qytetarëve po rëndohet, kurse zyrtarëve komunalë po ju rritet luksi.

“Qytetarëve të Pejës vazhdon t’u rëndohet gjendja ekonomike sociale, ndërkohë që zyrtarëve të qeverisjes lokale u rritet. Kompanitë e lidhura me pushtetin kanë vjelë buxhetin e qytetarëve pamëshirshëm përmes tenderëve të improvizuar  në zyrat e prokurimit politik, e aspak publik,”tha Lajçi.

Lajçi tha së përveç punësimeve  të militantëve partiake në arsim, komuna ka dështuar edhe në infrastrukturën e këtij sektori.

“Investimet e  bëra në infrastrukturën e shkollave kanë qenë pa asnjë standard, shembull i keq në këtë drejtim është edhe  objekti i shkollës së muzikës që ka filluar të ndërtohet në afërsi të parkut të qytetit ‘Karagaç’. Themelet e dëmtuara si pasojë e neglizhencës së zyrtarëve komunalë nuk do t’i paguajnë përgjegjësit, por qytetarët e Pejës,”theksoi Lajçi.

Por akuzave të Lëvizjes “Vetëvendosje” përmes telefonit për KALLXO.com u është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj.

Engelbert Zefaj – Zëdhënës i Komunës së Pejës ( FOTO )

“Qenkan munduar me gjetë ‘qimen n’vo’, fjalor politik i rëndomtë opozitar. Ata(LVV) vetëm e paskan  konfirmuar se është punuar shumë, por nuk qenkan të kënaqur me cilësinë. Ne kemi punuar më shumë se askush tjetër në Kosovë. Bazuar në kapacitetet financiare dhe njerëzore qe i ka komuna, kjo qeverisje ka bërë maksimumin,” tha Zefaj.