Vetëvendosje: Nuk Përjashtojmë Gazin në Seancën Tjetër

Zhvillimet e javëve të fundit mund të përsëriten, nëse Kryesia e Kuvendit vendos për mbajtjen e seancës së radhës këtë javë.

Përsëri do të ketë bllokim nga ana e opozitës, e cila, siç shprehet Vetëvendosje, do të bëjë çmos për mosmbajtjen e saj.

Vetëvendosje ka bllokuar seancat e sezonit vjeshtor të Kuvendit duke kërkuar tërheqjen e qeverisë nga marrëveshjet e fundit të gushtit, ku spikat ajo për Asociacionin e Komunave Serbe.

Frashër Krasniqi, zyrtar për media në Vetëvendosje, tha për KALLXO.com që gjithçka varet nga rrjedha e seancës, duke sqaruar se nëse pozita insiston me vazhdimin e saj, ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për ta ndaluar atë.

“Subjektet opozitare do të vazhdojnë protestën e tyre brenda Kuvendit, kurdo që thirret seancë e re. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kadri Veselit që të mos e provokojë situatën duke thirrur seanca të reja, në këtë kontekst të tensioneve. Ne do të bëjmë çmos që ta pengojmë sërish mbajtjen e saj”, tha Krasniqi.

Ai tha se nuk përjashtojnë asnjë metodë protestuese civile që nuk e rrezikon jetën e dikujt. I pyetur a rrezikon gazi jetën e tjetrit, ai u shpreh shkurt: Jo.

Ndërsa në deklarimet e mëhershme opozita ka paralajmëruar protesta masive, sipas Krasniqit, ende nuk është koha për to.

“Protestat masive do të organizohen kur ta vlerësojmë kohën e duhur, por njëherë për njëherë, do të vazhdojmë me protestën në Kuvend, pasi që tash për tash, ky veprim po duket mjaft efektiv”, theksoi Krasniqi.

“Varësisht se çka ndodh në Kuvend, ne do të veprojmë edhe jashtë institucioneve”.