Vetëvendosje në Protestë te Pallati i Drejtësisë

Nën moton “Ky është pallati, ku është drejtësia?”, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje protestuan para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ku kërkuan lirimin nga paraburgimi të dy aktivistëve të paraburgosur.

Përmes kësaj proteste aktivistët e VV-së të shoqëruar nga deputetët, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, bënë thirrje për lirimin e aktivistëve Trim Gashi dhe Besnik Zeqiri të arrestuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protestat e opozitës gjatë vitit të kaluar.

Shkodran Hoti, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje akuzoi organet e drejtësisë se janë vënë nën urdhrat e politikës.

“Ky pushtet që  e ka arrestuar Trimin dhe Besnikun, ky pushtet nuk i do ata që janë trima dhe besnikë të Republikës. Trimi dhe Besniku po mbahen në pushtet nga urdhrat e padrejtë të këtij pushteti”, tha Hoti.

Në thirrjet “Pallati i Padrejtësisë”, dhe parullat “Stop Burgosjeve politike”, “Të lirohen aktivistët, të burgosen djemtë e Isës”, “Xhabir Zharku në Suedi, aktivistët në burg”, protesta vazhdoi e qetë për rreth gjysmë ore, ndërsa fjalim mbajti edhe deputeti Glauk Konjufca

”Ky institucion përballë të cilit kemi dalë për të protestuar është bërë simbol i kapjes së drejtësisë nga ana e qeverisë dhe pikërisht në këtë institucion që do të duhej të ishte simbol I drejtësisë janë persekutuar shumica e deputetëve të opozitës”, tha Konjufca.

Konjufca tha se aktivistët e VV-së po mbahen për një kohë shumë të gjatë në paraburgim.

“Ne shkas kemi marrë nga mbajtja shumë e gjatë e dy aktivistëve të VV-së, Trim Gashi dhe Besnik Zeqiri, që së bashku janë mbajtur në burg për 172 ditë me radhë”, tha Konjufca.

Konjufca tha se opozita është më e bashkuar dhe më e fuqishme se kurrë për të kundërshtuar shkelësit e kushtetutës.

Konjufca tha se është zgjedhur të protestohet para pallati të drejtësisë, pikërisht sepse ky institucion në vend se të ndjek shkelësit e ligjit ai po ndjek dhe persekuton mbrojtësit e republikës.

Pas përfundimit të protestës, aktivistët lanë pankartat e tyre në pallatin e drejtësisë.

protesta pallati3