Vetëvendosje kundër hapësirës për bizneset serbe në panair

Lëvizja Vetëvendosje në një aksion simbolik shfaqi kundërshtimin për hapësirën që u është dhënë bizneseve serbe në panairin e Prishtinës

Për të kundërshtuar pjesëmarrjen e lartë të bizneseve nga Serbia në Panairin Ndërkombëtar Prishtina 2018, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një aksion simbolik para vendit ku po mbahet panairi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje Arbër Rexhaj tha se Serbia ka tendencë ta rrisë eksportin e prodhimeve të saja në Kosovë.

“Derisa po zhvillohet ky panair kemi 170 biznese nga ta 70 biznese janë serbe dhe duke pasur parasysh që Serbia në Kosovë eksporton afër gjysmë milion euro, ajo ka tendencë që këtë shifër ta rrisë dhe ta bëjë 1 milion”, tha Rexhaj.

Ai po ashtu shtoi se Serbia po synon që të dëmtojë Kosovën në aspektin e sovranitetit, territorit  dhe në aspektin ndërkombëtar.

Në këtë aksion deputeti Rexhaj tha se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të duhej të favorizonte kaq shumë bizneset e Serbisë.

“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se nuk do të duhet që ne si shtet  të favorizonim bizneset e Serbisë dhe në veçanti, Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të duhej të ndante 500 metra katrorë si hapësirë të bizneseve serbe”, tha Rexhaj.

Në përfundim të aksionit Lëvizja Vetëvendosje vendosi para objektit të panairit një baner me mbishkrimin “Jo Normalizimit të Hegjemonisë Ekonomike të Serbisë në Kosovë”.

Panairi Ndërkombëtar Prishtina 2018 është hapur dje. Në këtë panair po marrin pjesë 174 biznese, 70 nga to nga Serbia de vetëm një nga Shqipëria.

http://kallxo.com/panairi-qe-synon-permiresimin-e-imazhit-te-ballkanit-perendimor/