Vetëvendosje Kundër Dërgimit në Kushtetuese të Ngërçit në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet një propozim që bllokada institucionale të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për sqarim.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, në takimin konsultativ të thirrur nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa, tha se dërgimi eventual i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese do ta vononte zgjidhjen dhe, sipas tij, do t’i jepte më shumë kohë koalicionit PDK-AAK-NISMA.

“Në kuptimin praktik, e shton komplikueshmërinë e situatës. Ia japim një kohë të panevojshme koalicionit PAN për ta vazhduar këtë bllokadë. Kjo do të ishte pasoja politike e një veprimi eventual të tillë”, tha Konjufca.

“Kushtetuesja do të merrte disa ditë, deri në dy muaj, për të dhënë një përgjigje dhe kjo nuk na konvenon”, shtoi ai.

Por analisti Ramush Tahiri, preferon që lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese meqë, sipas tij, ekziston mundësia që rasti të mbyllet sapo të gjendet një zgjidhje politike për të dalë nga kriza.