Aktivistë të VV-së kërkojnë liri për bashkëpartiakët e dënuar - Foto: KALLXO.com

Vetëvendosje Kërkon Lirimin e Aktivistëve Përmes Billbordeve

Pak orë pasi që zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan të zbatohen kërkesat e miratuara në Kuvend për aktivistët e dënuar, në billborde të kryeqytetit disa aktivistë po kërkojnë lirimin e Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit e Adea Batushës.

“Liri për aktivistët”, shkruan në billbordin e vendosur në qendër të Prishtinës, afër Rektoratit të UP-së, sipas një fotografie të dërguar në KALLXO.com nga një qytetar.

Në billbord janë edhe fotografitë e katër aktivistëve të Vetëvendosjes të dënuar për sulmin me predhë kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Për këtë sulm Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Në një konferencë për media, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e Liburn Aliu kërkuan sot që Gjykata e Apelit të korrigjojë dënimin e aktivistëve në seancën që do të mbahet më 22 shkurt.

http://kallxo.com/vetevendosje-te-zbatohen-kerkesat-e-miratuara-ne-kuvend-per-aktivistet-e-denuar/

Arbërie Nagavci kërkoi edhe hetimin dhe gjetjen e përgjegjësve në Policinë e Kosovës, të cilët sipas saj janë të përfshirë në “inskenimin” e sulmit 4 gushtit të vitit 2016.

E pyetur nga KALLXO.com nëse këta aktivistë kanë marrë leje për vendosjen e thirrjes për lirimin e bashkëpartiakëve, deputetja Albulena Haxhiu tha se nuk e di nëse kanë marrë apo jo leje, duke e cilësuar këtë çështje “komplet dytësore e tretësore”.

“Duke e marrë parasysh që aktivistët tanë janë dënuar me mbi 21 vite burg, duke ua montuar një vepër të terrorizmit, është komplet për mua e papranueshme të mos merreni me mesazhin por me atë se a kemi marrë apo jo leje”, tha ajo.