Albin Kurti - Foto: Facebook

Vetëvendosje e Quan 'Mashtruese' Deklaratën e Përbashkët për Demarkacionin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media në lidhje me deklaratën e përbashkët të Presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij malazez për çështjen e demarkacionit.

Për Vetëvendosjen kjo deklaratë është e papranueshme dhe mashtruese.

I pari i kësaj partie, Albin Kurti i ka renditur disa arsye se pse kjo deklaratë është e papranueshme për partinë që ai e drejton.

“Për Vetëvendosjen, kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme sepse është e padrejtë dhe mashtruese”, tha Kurti në konferencën me gazetarë.

Sipas tij, kjo deklaratë nuk është dashur të nënshkruhet pa dijeninë, diskutimin dhe njoftimin e institucioneve të Kosovës.

“Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e Vjenës në gusht të 2015, janë 205 mijë nënshkrime të peticionit që e kundërshtojnë këtë marrëveshje, janë demonstratat më të mëdha të pasluftës në Kosovë janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje, rezultatet e komisionit shtetërorë të drejtuar nga komisioni i profesorit Bulliqit janë shpërfillë nga kjo deklaratë”, renditen disa arsye për mospranimin e kësaj deklarate nga i pari i Vetëvendosjes.

Madje sipas Kurtit, deklaratat dallojnë nga gjuha shqipe me deklaratën në gjuhën angleze.

“Vetëvendosje dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi, ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në bashkimin evropian dhe në NATO”, tha tutje Kurti.

Ai ka njoftuar se Vetëvendosje do filloj të mbledhë nënshkrime për krijimin e një komisioni hetimorë parlamentar për shqyrtimin e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti tha se qëndrimi i Vetëvendosjes ka një emër tani; “Mashtrimi nuk kalon”.