Vetëvendosje: Dënimi Synon ta Mbulojë Vdekjen e Astrit Deharit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e cilësoi si ‘politik” vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në prishtinë për dënimin e katër aktivistëve të saj nën akuzën për terrorizëm.

“Vendimi i sotëm e dëshmoi që ky rast është kryekëput politik. Dënimet e larta pa pasur asnjë provë materiale ose verbale”, tha Ymeri në një konferencë për shtyp.

“Ky vendim arsyeton masat drastike të përndjekjes nga pushteti të cilat ia morën jetën Astrit Deharit. Ky vendim nuk sjell drejtësi por synon ta mbulojë vdekjen e Astrit Deharit”, shtoi Ymeri.

Sipas tij, edhe vetë data e marrjes së vendimit, dy ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve, ka karakter politik.

“Data e vendimit tregon se synim i këtij vendimi ka qenë dëmtimi i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Ymeri.