Vetëvendosje: Arrestimet, Akt i Përndjekjes së Kundërshtarëve Politikë

Drejtuesit e Lëvizjes vetëvendosje kanë hedhur poshtë mundësinë që gjashtë personat e arrestuar sot në mëngjes të kenë lidhje me sulmin me bombë që iu bë ndërtesës së Kuvendit më 4 gusht të këtij viti.

Në një konferencë për shtyp, kryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, tha se këto arrestime janë “akt klasik i përndjekjes ndaj kundërshtarëve politikë”.

Ai tha se arrestimet e sotme vijnë “pas disa ditëve të propagandës së RTK-së kundër Vetëvendosjes”.

“Këto metoda nuk është që po i shohim sot për herë të parë. Është ky regjim policor ai që kishte hyrë në zyret e VV-së vetëm e vetëm për të shpërndarë frikë. Ne atëherë nuk kemi heshtur, sot nuk do të heshtim dhe nuk do të heshtim as nesër”, tha Ymeri.

Duke folur për protestën e 1 shtatorit kundër demarkacionit, Ymeri tha se kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë “edhe më i fortë” si brenda ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, tha se “ajo që po ngjan në Kosovë është shënjues i një shteti totalitar”.

Në këtë drejtim, Molliqaj ka bërë lidhjen ndërmjet tre drejtuesve kryesorë të vendit, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli me RTK-në dhe Policinë e Kosovës

“Policia është e diskredituar komplet dhe në këtë panik është dashur patjetër ta sajojë një fajtor. Shpend Maxhuni është vegla kryesore e persekutimit të opozitës”, tha Molliqaj.

Ai u shpreh se asnjë nga armët e konfiskuara sot nga policia gjatë aksioneve të bastisjeve nuk kanë të bëjnë me sulmin në Kuvend.

“Edhe në shtëpinë time në Beleg mund të ketë armë të babait tim dhe xhaxhait tim që kanë qenë në luftë. Është vepër penale, por është dukuri për shkak të luftës. Por armët e gjetura nuk kanë lidhje me sulmin dhe ekspozimi i tyre është propagandë”, tha ai.

Molliqaj ka thënë se të arrestuarit e Vetëvendosjes janë rrahur nga policia gjatë marrjes në pyetje ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve dhe organizatave që merren me të drejtat e njeriut që ta monitorojnë trajtimin e tyre në stacione policore.