Vetëvendosja Mund ta Çojë Veselin në Kushtetuese

Glauk Konjufca, nga Vetëvendosja thotë se Kadri Veseli mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk e hedh në votim mocionin e Vetëvendosjes për Qeverinë Haradinaj.

“Lëvizja Vetëvendosje e paraqiti një mocion, i cili u shpërfill nga kryetari Kadri Veseli i cili po vepron si kryetar i PAN-it”, tha Konjufca. “Nëse nuk del në votim mocioni, atëherë kryetari i Kuvendit po shkel Kushtetutën dhe do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.”

Ai ka tha se fakti që propozuesi i qeverisë nuk po pranon që të votohet kabineti i tij në Kuvend paraqet një rast të paprecedent në botë.

Konjufca tha se arsyeja e kësaj zvarritjeje është mungesa e Listës Serbe në Kuvend. Tha se tash e tutje qeveria Haradinaj do të jetë e varur nga Beogradi.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti e quajti të turpshme qeverinë që iu ofrua sot qytetarëve.

Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së e cilësoi të turpshme qeverinë e paraqitur sot nga Ramush Haradinaj.

Hoti tha se “dëshirojmë të tregojmë qartë që votimi i kësaj qeverie varet nga Beogradi”, teksa kërkoi që të votohet menjëherë për mocionin e mosbesimit të propozuar nga LVV-ja.

Kryetari dhe deputetët e Listës Serbe shkuan sot në Beograd për t’u takuar me zyrtarët serbë në lidhje me pjesëmarrjen në qeveri. Ata ende nuk janë kthyer për të marrë pjesë në seancë.