Veteranët e luftës protestojnë në përkujtimoren në Glina. Foto: BETAPHOTO/HINA/EV

Veteranët Kroatë Prishin Përkujtimoren e Serbëve

Një grup prej rreth dhjetë veteranësh lufte të viteve 1990 u përpoqën të ndërprisnin një përkujtimore të civilëve serbë të vrarë në vitin 1941 nga lëvizja fashiste ustashe kroate e kohës së Luftës së Dytë Botërore në qytetin qendror kroat të Glinës.

Rreth 100 vetë ishin mbledhur për eventin e organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb i Kroacisë, SNV, për të përkujtuar rreth 1,000 serbë vendas nga Glina dhe qyteti aty pranë i Vrginmostit që u vranë nga njësitë ustashe pro-naziste në korrik dhe gusht 1941.

Ustashët dogjën disa nga viktimat në një kishë ortodokse, ku tani ndodhet një qendër komunitare vendase dhe ku zhvillohet përkujtimorja.

Aneta Laliç nga SNV tha për BIRN se “çdo vit ka një grup prej rreth dhjetë personash” që protestojnë për përkujtimoren e përvitshme.

“Ajo që është specifike në lidhje me përkujtimoren e të dielës është se s’kemi qenë kurrë kaq pranë protestuesve. Ishim shumë afër njëri-tjetrit dhe ata morën pjesë në eventin tonë në një mënyrë që në fakt po e prishnin atë. Ata bërtisnin, ofendonin folësit, fishkëllenin e kështu me radhë,” tha Laliç.

Protestuesit akuzuan organizatorët serbë si përgjegjës për vdekjet e civilëve kroatë në Glinë gjatë luftës në vitin 1991. Disa nga folësit i pranuan vdekjet e vitit 1991 ndërsa flisnin gjatë përkujtimores.

Veteranët mbanin një flamur kroat dhe një banderolë me sloganin “Krimet komuniste nuk janë antifashizëm”, ndoshta duke sugjeruar se aktivistët po minimizonin krimet e kryera nga partizanët antifashistë të udhëhequr nga komunistët ose nga partizanët komunistë në Jugosllavi në vitet e pas luftës.

Sipas raporteve të medias, policia do të ngrejë padi për prishje të rendit publik për dy nga protestuesit.

Laliç tha se një polic i cili ishte përgjegjës për sigurinë e eventit duhet “t’i kishte lëvizur protestuesit matanë rrugës, siç është bërë gjatë viteve të mëparshme”.

Ajo theksoi se protesta e veteranëve nuk ishte një incident i izoluar, duke përmendur faktin se përkujtimorja e kryengritjes antifashiste në fshatin Srb është shënjestruar për vite me radhë nga grupe të ekstremit të djathtë.

Përkujtimorja u drejtua nga kryetari i SNV-së, lideri i serbëve të Kroacisë, Milorad Pupovaç, kreu i OJQ-së Documenta – Qendra për Ballafaqim me të Kaluarën, Vesna Terseliç dhe Aleksandar Tolnauer, kryetar i Këshillit të shtetit për Pakicat Kombëtare.

Gjatë luftës së viteve 1990 në Glina u vranë civilë kroatë dhe serbë.

Pasi forcat kroate kishin rimarrë qytetin në gusht të vitit 1995 në operacionin “Stuhia”, autoritetet lokale hoqën një pllakatë kushtuar viktimave të vrara në kishë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këshilli i qytetit të Glinës vendosi në tetor 2014 se eventi dhe mesha që përkujton vrasjet e serbëve nuk mund të mbaheshin aty ku ishte dikur kisha dhe urdhëroi që ajo të zhvendosej në varrezën katolike të qytetit.

Por ministria e administratës shtetërore më pas deklaroi se qyteti mund t’i tregonte vetëm zyrtarëve të tij se ku mund të mbanin një përkujtimore, duke u siguruar se eventi mund të vazhdonte të mbahej në vendin ku vdiqën disa nga viktimat.