Veteranët largohen nga salla e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Veteranët Duan Rikthimin e Speciales në Kuvend

Përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së kërkojnë që të shqyrtohet në Kuvend kërkesa e disa familjarëve të të vrarëve gjatë luftës për rishqyrtim të Ligjit për Gjykatës Speciale.

Xhavit Jashari, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve e paraqiti këtë kërkesë para gazetarëve, pasi seanca e Kuvendit u ndërpre.

“Po i shohim të gjitha padrejtësitë që po bëhen ndaj luftës së pastër të UÇK-së … dhe kjo po mendojmë që është e motivuar politikisht,” tha Jashari.

Ndërsa Hysni Gucati, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së tha se nuk do të largohen nga Kuvendi pa u rikthyer në rishqyrtim Ligji për Specialen.

Para gazetarëve foli edhe Bahrie Gërxhaliu, familjare e të vrarëve gjatë luftës dhe  njëra nga dorëzueset e kërkesës për rishqyrtim të Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Ma të dashnit tanë i dhamë për këtë tokë për këtë liri dhe duam që nga ky vend të dalë drejtësia,” tha Gërxhaliu.

Aktualisht nga Kuvendi i Kosovës janë larguar të gjithë veteranët dhe familjarët e të vdekurve gjatë luftës.

Themelimi i Gjykatës Speciale u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015.

http://kallxo.com/miratohet-gjykata-speciale/

Gjykata pritet të gjykojë për krime lufte ish-pjesëtarët e UÇK-së.