Gjykimi për shpifje | Foto: KALLXO.com

Vetëm Pesë Minuta Xhirim në Seancën ndaj Jahjagës për Shpifje

Ka nisur seanca në lidhje me padinë për shpifje ndaj ish-presidentes Atifete Jahjaga.

Gjyqtarja e rastit në fillim të seancës njoftoi se lejon vetëm pesë minuta xhirim pa dhënë asnjë arsyetim të mëtutjeshëm se përse po e kufizon xhirimin e seancës në vetëm 5 minuta.

Neni 3 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës parasheh që gjyqtarët mund të kufizojnë xhirimin e seancës, por vetëm nëse e arsyetojnë këtë vendim.

“Fotografimi, filmimi, regjistrimi televiziv dhe regjistrime të tjera përpos regjistrimit zyrtar të  shqyrtimit gjyqësor lejohen, përveç nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues kufizon  fotografimin, filmimin, regjistrimin televiziv ose regjistrimet tjera me aktvendim të arsyetuar me  shkrim”, përcaktohet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Megjithatë, në këtë rast nuk është dhënë asnjë njoftim nëse do të bëhet aktvendimi me shkrim, kush e ka bërë kërkesën për kufizimin e xhirimit të seancës, apo ndonjë arsyetim tjetër që do të arsyetonte kufizimin e kësaj seance me interes të lartë për publikun pasi që ish-Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga është e paditur për shpifje.

Për me tepër, Jahjaga po paditet për shpifje për deklaratat e saj lidhur me një rast tjetër të rëndësishëm ku një grua për vite të  tëra është duke e kërkuar të drejtën e saj në pronë.

Kunetërit e Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës së vitit 1999 kanë paditur ish-Presidenten Jahjaga për shpifje.

Padia lidhet me deklaratën e Jahjagës se Shyhrete Berisha “është nxjerrë zhag nga shtëpia ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Sipas avokates Braha, që foli për KALLXO.com edhe para një jave, në këtë seancë kunetërit e Shyhrete Berishës do të kërkojnë nga Jahjaga të kërkojë falje në lidhje me këtë deklaratë dhe që ky deklarim të tërhiqet prej saj.

Jahjaga deklaratën për të cilën është paditur e kishte dhënë në përkrahje të Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës ndaj kësaj familjeje në vitin 1999.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Gjykata Themelore në Prizren-Dega në Suharekë në korrik të vitit 2017 ia njohu të drejtën e pronësisë mbi gjysmën e kësaj shtëpie dhe gjysmën e paluajtshmërisë së saj Shyhrete Berishës.

http://kallxo.com/gjysma-e-prones-dhe-gjysma-e-shtepise-takojne-shyhrete-berishes/

Dje gjykata kufizoi fotografimin, xhirimet dhe incizimin në vetëm 15 minuta edhe n[ gjykimin e Azem Syl[s dhe të tjerëve.