Nga zgjedhjet e mëhershme | Foto: KALLXO.com

Vetëm BIRN dhe Internews Kosova Ankohen për Zgjedhjet në Drenas

Për ditën e zgjedhjeve në Drenas kanë arritur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vetëm pesë ankesa nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Janë vetëm pesë ankesa që kanë arritur në PZAP nga BIRN-i. Te tjera nuk ka,” tha zyrtari i këtij paneli Mul Desku.

Më herët gjatë ditës së djeshme, para se BIRN dhe Internews Kosova t’i dorëzojnë ankesat e tyre, Desku kishte thënë se nuk ka ankesa për këto zgjedhje.

“ Asnjë ankesë tash për tash nuk e kemi. Deri në orën 19:00 ne do të pranojmë ankesa sepse është afat ligjor 24 orë prej mbylljes së qendrave të votimit,”  kishte thënë Desku.

Desku për KALLXO.com tregoi se përveç ankesave të ditës së zgjedhjeve nga BIRN dhe Internews Kosova, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa pranoi edhe gjashtë ankesa tjera gjatë fushatës zgjedhore në Komunën e Drenasit të cilat lidhen me thyerjen e heshtjes zgjedhore dhe vendosjen e posterëve.

KALLXO.com ka gjetur që dy nga ankesat për vendosje të posterëve në shtylla të ndriçimit publik, gjatë fushatës zgjedhore janë paraqitur në PZAP nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy ankesa të tjera janë paraqitur nga Aleanca Kosova e Re kundër kandidatit të PDK-së për Drenas, Ramiz Lladrovcit dhe kanë të bëjnë me thyerje të heshtjes zgjedhore, ndërsa, ankesa tjetër është bërë nga Nisma për Kosovën ndaj një portali medial.

Në PZAP, janë edhe dy ankesa të tjera  kundër vendimit të KQZ-së për rastin e kandidatëve Rrahim Elshani dhe Naim Bazaj të cilët ishin tërhequr nga gara për të parin e Komunës së Drenasit.

KALLXO.com monitoroi gjatë tërë ditës së diel zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Drenas, duke evidentuar disa shkelje gjatë këtij procesi zgjedhor.

http://kallxo.com/kallxo-com-veren-parregullsi-ne-zgjedhjet-ne-drenas/

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

Në to kishin të drejtë vote rreth 53 mijë qytetarë, ndërsa sipas KQZ-së votuan 40.55 për qind të tyre.

http://kallxo.com/kqz-rezultatet-e-para-ne-oren-2100/

Në këto zgjedhje për herë të parë në Drenas një kandidat i PDK-së shkon në balotazh. Ramiz LLadrovci i këtij subjekti do të garojë më 18 dhjetor me kandidatin e Nismës për Kosovën Isa Xhemajlaj për të parin e Drenasit.

http://kallxo.com/rundi-dyte-zgjedhjeve-ne-drenas-18-dhjetor/

Në zgjedhjet e kaluara edhe kandidati i PDK-së, por edhe ai i Iniciativës Qytetare për Drenasin që më vonë u bë pjesë e Nismës për Kosovën fituan më shumë vota.

http://kallxo.com/renia-e-pdk-2013-2016/

http://kallxo.com/dallimi-ne-vota-nisma-s-2013-2016/