Nga një mbledhje e KPK-së | Foto: KALLXO.com

Vetëm 9 prej 150 Ankesave të Prokurorëve u Pranuan nga Gjykatat

Në mbledhjen e 130-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës  u prezantua raporti vjetor i Mekanizmit Përcjellës për Harmonizimin e Statistikave për Vitin 2016.

Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të KPK-së që prezantoi raportin, tha se prej 150 ankesave mbi të gjitha bazat lidhur me veprat karakteristike që kanë ushtruar prokurorët, vetëm 9 prej tyre janë aprovuar nga gjykatat.

Krasniqi gjithashtu prezantoi edhe të dhënat lidhur me vendimet e gjykatave për aktet akuzuese.

“65 për qind e akteve akuzuese të dorëzuara në gjykatë kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, 15 për qind janë liruese, 11 refuzime të aktakuzave, ndërsa 7 për qind hedhje pas shqyrtimit gjyqësor”, tha Krasniqi.

Pjesë e rëndësishme e raportit ishin edhe të dhënat lidhur me kallëzimet penale.

Në këtë drejtim, Krasniqi tha se gjatë vitit 2016 ka pasur gjithsej 1583 kallëzime penale, prej të cilave, 1408 janë zgjidhur, ndërsa edhe 1977 kanë mbetur në punë.

Prej këtyre kallëzimeve, 1197 janë nga Policia e Kosovës, 72 nga Doganat e Kosovës, 64 nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ndërsa pjesa tjetër nga qytetarët dhe palët tjera.

Prej këtyre kallëzimeve penale u tha se 55 për qind kanë rezultuar me aktakuzë, 26 për qind me hedhje poshtë të kallëzimeve penale ndërsa 17 për qind me pushim të hetimeve.

Më së shumti kallëzime penale-gjithsej 828, sipas Krasniqit, lidheshin me drogën, 467 me krime ekonomike, ndërsa të natyrës korruptive ishin 447 kallëzime.

Në fund, raporti u miratua me shumicë të votave nga anëtarët e pranishëm.

Më 1 shkurt KALLXO.com shkroi edhe për hedhjen poshtë nga gjykatat të shumë kallëzimeve penale të prokurorive.

http://kallxo.com/kryeprokurori-shqetesuar-perqindjen-e-kallezimeve-te-hedhura/