Shkolla e përfshirë nga zjarri në gusht

Vetëm 6 Klasë Përgatiten në Shkollën e Djegur

Shkolla “Musa Hoti” në Mitrovicë e përfshirë nga zjarri më 13 gusht nuk ka mundur të përgatitet për të pritur nxënësit në nisje të vitit shkollor.

Sipas drejtorit të kësaj shkolle Iset Beka që foli për KALLXO.com vend u kanë bërë vetëm nxënësve të ciklit të ulët në gjashtë klasat e dëmtuara më pak nga zjarri.

‘’Në 6 klasat të cilat ndodhen në aneksin e ri i kemi vendosur ciklin klasor(klasa 1-5),ndërsa nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 do të vendosen në Shkollën e Mesme të  Mjekësisë, e cila ndodhet afër shkollës ‘Musa Hoti’’’,  tha Beka.

Ai deklaroi se ende nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit në lidhje me renovimin nga dëmtimi.

“Kemi bërë të gjitha kërkesat që duhet, janë bërë edhe vlerësimet po ende nuk kemi marrë  asnjë përgjigje nga MASHT-i’’, shtoi Beka.

Sipas Bekës, pasi që shkolla është pastruar dëmet mund të riparohen brenda një muaji në rast se punon kompania e duhur në këtë rast.

KALLXO.com raportoi për përfshirjen nga zjarri të kësaj shkolle para më shumë se tri javësh.