Foto-ilustrim

Vetëm 5 Për Qind të Grave Kanë Pronë

Në konferencën e Agjencisë së Statistikave “Gratë dhe Burrat në Kosovë” dolën shifrat se vitin e kaluar vetëm 5 për qind e grave në Kosovë kishin në pronësi të tyren shtëpi ose banesë.

“Në vitin 2015 gratë kishin shtëpi apo banesë në përqindje prej 5 për qind, sipas rezultateve të dala nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë. Në vitin 2014 vetëm 4.9 për qind e femrave ishin bartëse të pronësisë së tokës bujqësore vërehet që kemi një përqindje shumë të ulët, në kuptimin e pronësisë së femrave në krahasim me meshkujt,” njoftoi kryeshefi i ASK-së Isa Krasniqi.

Sipas ASK-së, numri i grave që merren me biznes është shtuar, pasi tash ato kanë në pronësi 13 për qind të bizneseve të regjistruara në nivel vendi.

Agjencia e Statistikave në konferencë paraqiti edhe të dhënat se nga cilat burime kanë të ardhura gratë në Kosovë.

“Burimet e të hyrave individuale në Kosovë për vitin 2015 për gratë ishin të hyrat nga pagat, pensionet dhe paratë e gatshme të dërguara nga jashtë,” tha kryeshefi Krasniqi.

Ai deklaroi se ashtu si janë shtuar gratë biznesmene, në 2015 kishte shumë më shumë gra kryefamiljare.

Gratë kryefamiljare në vitin 2015, kishin një përqindje 12 për qind, pra që janë udhëheqëse familjare, që paraqet rritje të theksuar raport me vitet e mëparshme kjo përqindje ka qenë më e vogël,” tha Krasniqi.

Gratë, sipas ASK-së qëndrojnë shumë keq edhe me njohjen e gjuhëve të huaja. Kryeshefi Krasniqi tha se në 2015-ën 68 për qind e tyre nuk dinë ndonjë gjuhë tjetër përveç amtares.

Në Kosovë që nga regjistrimi i vitit 2011 ka më shumë burra se gra.

“Sipas regjistrimit të popullsisë 2011, raporti gjinor ishte 110 meshkuj për 100 femra, do me thënë në Kosovë, është karakteristikë që ka më shumë meshkuj sesa femra në kuptimin e krahasimit gjinor,” tha kryeshefi i ASK-së Krasniqi.

Në qershor “Drejtësia në Kosovë” shfaqi emision për dorëheqjen e grave nga trashëgimia.

KALLXO.com shkroi edhe për rastin e Shukrije Berishës, e cila pasi u përjashtua nga trashëgimia, i paditi kunetërit në gjyq duke kërkuar shfrytëzim të një pjese të shtëpisë ku jetonte.

Më 30 maj Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu Shukrije Berishës pronësinë në një të gjashtën e shtëpisë dhe një të dhjetën e oborrit.

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

Edhe Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë në marsin e vitit 1999, është duke kërkuar me gjyq të drejtën e shfrytëzimit të shtëpisë ku jetoi bashkë me burrin e fëmijët.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-rrefen-si-u-ndalua-te-hyje-ne-shtepi-nga-kunati-e-vjehrra/

Zyrafete Huskaj, si Berisha është duke kërkuar hisen e saj në pasurinë e përbashkët me burrin, pas ndarjes prej tij.

http://kallxo.com/ish-bashkeshortja-kerkon-hisen-e-saj/