Vetëm 1 Mijë Euro Gjobë për Frikësimin me të Shtëna të ish të Dashurës

Faton Tasholli i akuzuar për armëmbajtje pa leje, u shpall fajtor dhe u dënua me një mijë euro gjobë, pasi që sipas aktakuzës i njëjti pas ndarjes nga ish e dashura S.D kishte gjuajtur me armë pranë shtëpisë së saj me qëllim që ta frikësojë atë.

I akuzuari shumën prej një mijë eurosh është i detyruar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në qoftë se Tasholli për këtë periudhë kohore nuk e paguan gjobën, ajo do t’i kthehet në burg, duke iu llogaritur 20 euro një ditë burgu.

Dënimin për Tashollin e shpalli kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

“Gjykata e gjykon me dënim me gjobë në shumën prej një mijë euro i cili dënim do të i ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj gjobën e shqiptuar e njëjta do të i zëvendësohet me dënim me burgim duke ja llogaritur për çdo ditë burgim 20 euro gjobë”, tha Kalludra.

Ai shpjegoi edhe pse Faton Tasholli u shpall fajtor.

“Faton Tasholli me shënimet personale si në shkresat e lëndës është fajtor sepse me datën 18.01.2011 rreth orës 00:50 minuta ka shkuar në fshatin Krajishtë, Komuna e Lipjanit në afërsi të shtëpisë së Arsim Dedushit ku ka shtënë me armë të paidentifikuar deri më tani disa herë në ajër me qëllim që ta frikësojë të dashurën e tij S. D. për shkak të mosmarrëveshjeve që kishte me të”, shpjegoi gjyqtari Kalludra.

Në vend të ngjarjes sipas Kalludrës ishin gjetur dhe sekuestruar nëntë gëzhoja të plumbave, ndërsa Tasholli u dënua për armëmbajtje pa leje.

Në aktakuzë thuhej se Tasholli armën të cilën e përdori për frikësim më pas ia kishte shitur një kushëriri të tij.

KALLXO.com kishte shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/pas-ndarjes-gjuajti-arme-te-shtepia-e-ish-te-dashures/