Kuvendi i Maqedonisë | Foto: Wikipedia

Veseli Uron Shqiptarët e Maqedonisë për Ligjin për Gjuhën Shqipe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përgëzuar Kuvendin e Maqedonisë dhe shqiptarët e vendit fqinj për votimin e ligjit për gjuhën shqipe.

“Ky është një hap i rëndësishëm në përmbushjen e të drejtave legjitime të popullit shqiptar në Maqedoni dhe do t’i kontribuojë forcimit të demokracisë, barazisë dhe harmonisë etnike në këtë shtet”, thuhet sipas një njoftimi të PDK-së.

“Po ashtu, kalimi i këtij ligji përbën një arritje të madhe në realizimin e plotë të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe nga standardet e kërkuara në kuadër të integrimit evropian”, citohet të ketë thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i PDK-së.

Siç njofton rtv21.tv, me 69 vota “PËR”, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur është votuar Ligji i Gjuhëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë .

Ligji nuk mori përkrahjen e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, e cila vazhdon ta kundërshtojë atë duke e cilësuar si antikushtetues.

Në punën e Kuvendit të Maqedonisë sot morën pjesë 69 deputetë.

Ndërsa, siç njofton Radio Evropa e Lirë, sipas dispozitave të Ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare, raporton REL.

Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare.