Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli Uron Homologun e Ri të Maqedonisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit të Maqedonisë.

“Jam i bindur se shqiptarët e atjeshëm do të vazhdojnë, që me maturinë dhe pjekurinë e tyre politike e qytetare, të luajnë një rol konstruktiv dhe jetik për funksionimin e institucioneve demokratike dhe rrugëtimin euro-atlantik të Maqedonisë”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.

Kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë është uruar edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Kam besim se Maqedonia si shtet fqinj i Kosovës do të konsolidoj institucionet e saj demokratike duke respektuar të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

“Ne të gjithë në Ballkanin Perëndimor akoma po shërojmë plagët e luftës, dhunës dhe armiqësive, prandaj duhet të evitohen këto të këqija në ndërtimin e ardhmërisë tonë evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar po ashtu Isa Mustafa.

Zgjedhjen e Talat Xhaferit e kishte përshëndetur mbrëmë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndryshe, Talat Xhaferi është zgjedhur dje kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Menjëherë, protestues të dhunshëm, që dyshohet të jenë përkrahës të partisë VMRO DPMNE të Nikolla Gruevskit, kanë hyrë në ambientet e Kuvendit, me ç’rast kanë sulmuar deputetët e LSDM-së dhe të partive politike shqiptare.

Në këtë sulm të lënduar kanë mbetur më shumë se dhjetë deputetë të LSDM-së, përfshirë edhe kryetarin e saj Zoran Zaev si dhe deputeti Ziadin Sela.

http://kallxo.com/ne-mesin-e-te-lenduarve-edhe-ziadin-sela/