Kadri Veseli | Foto: KALLXO.com

Veseli: Do ta Kryejmë Ratifikimin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po zhvillohet në Prishtinë tha se Kosova do ta kryejë përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Veseli foli për demarkacionin me këtë shtet, pasi e kreu paraqitjen e tij pesëminutëshe, të cilën e vazhdoi me bashkëbisedim me gazetarët.

Ai u pyet nga një gazetar malazez se kur Kosova do ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të nënshkruar më 26 gusht të vitit të kaluar në Vjenë, të cilën Mali i Zi ka kohë që e ka ratifikuar.

“Falenderoj Malin e Zi që e ka kuptu gjendjen sensitive atë kohë në Kosovë. Ato që kemi dallime me kolegët e mi nga opozita kanë shqetesime se nuk është përcaktuar në disa pjësë në territor shumë të vogël. Ne do ta kryejmë ratifikimin,” tha Veseli.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër në lidhje me kërcënimet për sigurinë në Kosovë, Veseli përmendi sipas tij kryesoren prej tyre.

“Besoj se kërcënimi më real është nëse Kosova dhe rajoni nuk e sheh perspektivën e qartë integruese. Kjo është çka Kosova ka nevojë më se shumti, për partneritet e bashkëpunim. Në aspektin e sfidave të sigurisë, janë të përbashkëta, të cilat i kemi të gjithë,” tha Veseli.

Ai deklaroi se Kosova nuk do të jetë kurrë vend i rekrutimit të terroristëve.

“Si vend multietnik, cdo qytetar pavarësisht dallimeve etnike ta ndiejë veten të sigurt, ngase ajo është pasuri. Kosova nuk ka qenë e nuk do te jetë burim i rekrutimit të terroristëve,” tha Veseli.