Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Veseli: Shtesa ‘Si Orientim’ pas Bisedave me Haradinajn e Hotin

Kadri Veseli tha se konsensusi mes shumicës së partive për demarkacionin u arrit pas bisedave që ai kishte me Ramush Haradinajn e Avdullah Hotin.

“Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri”, shkroi Veseli në facebook.

Ai bëri të ditur se projektligji është thuajse i njëjtë përveç fjalëve “si orentim”, të shtuara në të.

“Në pikën 1.2 të nenit 3 është shtuar fjala ‘si orientim’, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit”, shkroi më tutje Veseli.

Ai pastaj ftoi edhe Vetëvendosjen dhe Listën Serbe të votojnë pro ratifikimit të demarkacionit.

“Ftoj edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë ‘pro’ Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi”, shkroi Veseli.

Sot në një konferencë për gazetarë Kryeministri ramush haradinaj njoftoi se ka pranuar kushtin e LDK-së që deputetët e kësaj partie ta votojnë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.