Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli: Presim nga Bashkimi Europian Liberalizimin e Vizave

Kryeparlamentari Kadri Veseli e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për ta dërguar në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi”, ka thënë Veseli në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

“Izolimi i qytetarëve tanë duhet të marrë fund. Presim nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave”, ka shkruar po ashtu i pari i PDK-së.

Reagimi i Veselit vjen pasi që Qeveria e Kosovës vendosi që Marrëveshjen për demarkimin e kufirit, e nënshkruar në mes Qeverisë së Isa Mustafës dhe Qeverisë së Malit të Zi, ta dërgojë në Kuvend.

Bashkë me të Qeveria Haradinaj ka marrë vendim që Kuvendit t’i dorëzohet edhe raporti i Komisionit qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/haradinaj-e-dergon-marreveshjen-e-mehes-dhe-raportin-e-bulliqit-ne-kuvend/

Ky komision ishte themeluar me vendim të kryeministrit Haradinaj dhe raporti i tij është diskutuar sot gjatë ditës në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria sot dëgjoi raportimin e anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e Marrëveshjes për demarkacion të cilët erdhën në përfundim se kjo marrëveshje qe arritur në dëm të territorit të Kosovës.