Kadri Veseli e Uran Ismajli në Klinikën e Onkologjisë | Foto: KALLXO.com

Veseli Premton Punë për të Gjithë Specializantët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës gjatë një vizite në Klinikën e Onkologjisë në QKUK ka premtuar se nuk do të ketë specializantë të papunë.

Për këtë premtim Veseli ka thënë se do të marrë edhe përgjegjësinë politike.

“Nuk do të ketë punëtor shëndetësor pa punë, nuk do të ketë specializantë që punojnë 36 orë për t’i mbajtur familjet e tyre pa pagesë, ata do të paguhen. Nuk do të ketë specializantë të papunë, për këtë e marrim përgjegjësinë politike”, ka premtuar Veseli.

Vitin që shkoi specializantët ishin takuar me Veselin, duke kërkuar ndihmë prej tij, pasi nuk ishte paguar kujdestaria.

http://kallxo.com/specializantet-e-mjekesise-kerkojne-ndihme-nga-veseli/

Specializantët edhe e kishin bojkotuar punën.

http://kallxo.com/specializantet-mjekesore-bojkotojne-punen-per-pagesen-e-kujdestarise/

Veseli gjatë vizitës në onkologji më tutje tha se që nga fillimi i vitit 2018 do të rritet numri i punëtorëve në sektorin e infermierisë.

“Nga data 1 janar rritet numri i punëtorëve shëndetësorë edhe në sektorin e infermierisë. Në të njëjtën kohë deri sa të futet Ligji për Sigurime Shëndetësore, barnat esenciale, nuk do të ketë pacient në Republikën e Kosovës i cili do të paguajë”, ka thënë Veseli.

Së bashku me Veselin në Klinikën e Onkologjisë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli i cili tregoi se gjatë vitit 2018 do të shtohet numri i punëtorëve mjekësorë në Klinikën e Onkologjisë.

“Kanë nevojë edhe për përkujdesjen mjekësore dhe ne e kemi reflektuar edhe në numrin e mjekëve dhe numrin e infermierëve të cilët do t’i ketë kjo klinikë, prandaj do ta shtojmë edhe numrin e tyre në mënyrë që të jemi të gatshëm që gjatë vitit 2018 t’u përgjigjemi nevojave të cilat kanë qenë shpeshherë pa përgjigje për vite me radhë”, ka thënë ministri Uran Ismajli.

Ai po ashtu theksoi se lista esenciale e barnave do të ketë mbulueshmëri maksimale.

“Do ta rishikojmë listën esenciale dhe do të bëjmë mbulueshmëri maksimale apo të gjitha kërkesave që i kanë Instituti i Onkologjisë në mënyrë që t’i japim pacientëve atë që kanë nevojë, që janë ilaçet”, është shprehur Ismajli.

Kurse Basri Sejdiu, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka thënë se po bëhen plane që shumë shpejt në Klinikën e Onkologjisë të ofrohet shërbim 24 orësh dhe po ashtu të fillohet edhe me shërbime të reja siç është brahiterapia.

Brahiterapia është trajtim me rreze i tumoreve për t’i zvogëluar,ose shkatërruar ata.