Kryeparlamentari Kadri Veseli premton memorial për të mbijetuarit e dhunës seksuale - Foto: Kuvendi i Kosoves

Veseli Premton Memorial për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka premtuar ngritjen e një memoriali gjatë këtij viti përballë Kuvendit të Kosovës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këtë premtim Veseli e dha pas takimit me përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët janë të licencuar për verifikimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

“Veseli u informua rreth procesit të verifikimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa u falënderua për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për këtë kategori, në aspektin legjislativ dhe atë financiar”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim, është diskutuar edhe mundësia që kjo kategori të përfitojë shërbime shëndetësore falas.

“Veseli, po ashtu, ka premtuar se do të trajtohen me prioritet problemet e shfaqura në zbatim të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Organizatat të cilat do të bëjnë verifikimin e të mbijetuarve janë: Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Medika Kosova, Medika Gjakova dhe Qendra për Promovimin e Gruas në Drenas.