Kreu i PDK-së premton dyfishim të buxhetit për bujqësinë - Foto: Facebook

Veseli Premton Dyfishim të Buxhetit për Bujqësinë

Pasi ka dëgjuar ekspertët dhe përpunuesit e qumështit e fermerët e Prizrenit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se investimet në bujqësi duhet të rriten, ndërsa shteti duhet të kujdeset që të jetë sa më afër atyre që punojnë tokat dhe krijojnë vende të reja pune.

“Do të dyfishohet buxheti për bujqësi. Po ua jep fjalën se do të dyfishohet. Ka nevojë Kosova për një fillim të ri edhe në sektor të bujqësisë”, ka thënë Veseli, sipas një komunikate të Zyrës për Komunikim të PDK-së.

Po ashtu, Veseli ka inkurajuar fermerët dhe përpunuesit e qumështit që të vazhdojnë punën dhe të rrisin kapacitetet e tyre.

Këto premtime kreu i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës i ka bërë ndërkohë që partia e tij e drejton Ministrinë e Bujqësisë që nga viti 2008.

Në këtë takim, Alajdin Fusha, i cili përfaqëson njërën prej pikave më të mëdha të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në Kosovë, propozoi që shteti të subvencionojë qumështin e pasterizuar në mënyrë që qytetarët e Kosovës të konsumojnë sa më shumë produkte të freskëta dhe me çmime të lira.

Ndërsa fermeri Remzi Mehmeti tha se përkundër numrit të madh të papunësisë, qytetarët e papunë refuzojnë të punojnë në bujqësi, prandaj ai kërkoi që të bëhet më shumë në sensibilizim të qytetarëve që duan të punojnë.

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit propozuan që në të ardhmen e afërt të nxirret një ligj i posaçëm që do të favorizonte ata dhe gjithë prodhuesit e tjerë vendorë që në supermarketet kosovare të obligohet ekspozimi i produkteve vendore.

Këtë takim Veseli e ka zhvilluar në kuadër të turit të tij të dëgjimit, të quajtur “Fillimi i Ri”