Nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit Foto: KALLXO.com

Veseli: Pas Debatit Shkojmë Drejt Vendimmarrjes

Në diskutimin e nesërm për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi që do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit do të jenë të pranishëm 16 organizata dhe përfaqësuesit e 28 ambasadave dhe përfaqësive diplomatike.

Kështu ka thënë kryeparlamentari, Kadri Veseli, pas një takimi të Kryesisë së Kuvendit.

“U morëm vesh për mbarëvajtjen e tryezës”, tha ai pas takimit.

Ndërkaq, i pyetur pse në këtë diskutim do ta marrë fjalën ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, Veseli tha se “duhet të jemi të kënaqur që ShBA ka interesim”.

“Qe një vit është duke u diskutuar kjo çështje. Do të ballafaqohen argumentet dhe do të shkojmë drejt vendimmarrjes”, tha po ashtu kryetari i Kuvendit.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili është iniciatori i debatit që do të zhvillohet, tha se nesër do t’i ballafaqojnë faktet Komisioni Shtetëror dhe grupi i pavarur.

“Në fund pjesëmarrësve do t’u jepet mundësia për pyetje. Për diskutim të dy komisionet do të kenë kohë të barabartë”, tregoi ai.

Më tej, Bulliqi tha se debati i nesërm do të ndikojë te deputetët në marrjen e vendimit.

“Esenca e thirrjes së debatit e ka këtë synim që deputetët të krijojnë opinionin e tyre dhe të kenë informacione të mjaftueshme”, tha ai.

Bulliqi tha se pas debatit dy palët do të dalin me konkluzionet e veta, se ku pajtohen e ku nuk pajtohen.

http://kallxo.com/opozita-e-pranishme-ne-takimin-per-demarkacionin/

Më 15 korrik, Kryesia e Kuvendit caktoi seancën e radhës plenare e cila pritet të mbahet pasnesër.

Në këtë mbledhje po ashtu Kryesia e Kuvendit kishte miratuar kërkesën e deputetit Shpejtim Bulliqi që me 3 gusht në hapësirat e Kuvendit të zhvillohet një debat rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

http://kallxo.com/debati-ne-kuvend-per-demarkacionin-3-gusht/