Veseli: Nuk Ka Drejtësi Ndërkombëtare pa Drejtësi për Reçakun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përkujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, në 19 vjetorin e saj.

Veseli që bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj vizituan fshatin e Shtimes, tha se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për këtë masakër.

“Ne kurrë nuk do ta harrojmë Recakun, ne kurrë nuk do të ndalojmë të kërkojmë drejtësi për Reçakun, krimi nuk vjetrohet. Për hir të drejtësisë ndërkombëtare, nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare pa u vendosë drejtesi në Reçak”, tha Veseli.

Ai po ashtu përmendi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , duke thënë se po përballen me padrejtësi.

“UÇK mbetet unike në kauzën e saj, tani para nesh kemi një sfidë të pashmangshme por të patejkalueshme, betejë që duhet të na bashkoj e jo të na ndaj. Duhet ta dinë të gjithë e sidomos komuniteti ndërkombëtar se kryerësit e masakrave duhet të dënohen. Ne jemi mësuar të përballemi me padrejtësi dhe ne do t’i mposhtim ato”, tha Veseli

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, foli për kthesën historike që bëri masakra e Reçakut.

“Më 15 janar 1999 u dëshmua sakrifica. E kaluara e hidhur nuk harrohet por duhet të jemi krenar që gjaku i derdhur dhe plaga shpirtërore bën kthesë historike. Kjo masakër goditi edhe opinionin botëror”, tha Ismajli.

Për përvjetorin e masakrës që ndodhi në vitin 1999, Gazeta Jeta në Kosovë ka realizuar një reportazh me të mbijetuarit.

Në Kodrën e Plagëve të Reçakut