Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli e kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker - Foto: Facebook

Veseli: Mosvotimi i Sotëm Nuk do t’i Ndihmojë Lëvizjes së Lirë të Qytetarëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se me gjithë vështirësitë që ka, Bashkimi Europian po e qartëson pozicionin ndaj Kosovës.

Këto komente Veseli i ka bërë pas takimit që ka zhvilluar me kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili sot në Prishtinë është takuar me drejtuesit shtetërorë të Kosovës.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Veseli ka thënë se takimi dhe biseda me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe zyrtarët tjerë të lartë të BE-së, ishte një konfirmim i perspektivës së qartë europiane të Kosovës.

Me këtë rast, Veseli ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk po e japin votën për ratifikimin e Marrëveshjs së Demarkacionit.

“Për fat të keq, një pjesë e përfaqësuesve të popullit, duke u thirrur zëshëm në emër të tij, nuk reflektuan sot për të ratifikuar Marrëveshjen e Shënimit të Kufirit me Malin e Zi dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.

“Sot, ne mund të ishim të suksesshëm dhe krenarë. Izolimi dhe dështimi nuk janë opsione që ndihmojnë qytetarët tanë”, ka shtuar Kadri Veseli pas dështimit të sërishëm të votimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, e cila është shtyrë “për një ditë tjetër”.

“Shtyrja e seancës, si kërkesë disaditëshe për konsensus, dhe mosvotimi pikërisht në ditën e vizitës së zyrtarëve më të lartë të BE-së, nuk do t’i ndihmojë lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë”, ka theksuar ai.

“Unë do të vazhdoj angazhimin, me përkushtim të plotë, për t’i hapur rrugë liberalizimit, duke arritur konsensusin e domosdoshëm që në ditët e ardhshme të ratifikohet Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi”, ka shtuar kreu i Kuvendit të Kosovës.