Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli: Mospërfundimi i Demarkacionit po i Dëmton Qytetarët e Kosovës

Mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është duke i dëmtuar më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës, tha sot kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli theksoi se çështjet e Demarkacionit dhe Asociacionit janë shumë me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kreu i Kuvendit tha se do të kryhet dhe se do të kryhet vetëm në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Këto deklarata Kadri Veseli i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, gjatë të cilës është vendosur që seanca plenare e radhës të mbahet të enjten, kur në rend dite do të jenë 23 pika.

Veseli po ashtu ka folur edhe për çështjen e murit në veri të Mitrovicës. Sipas tij, mur të ngjashëm me atë që u rrënua dje nuk do të ketë.

http://kallxo.com/rrenohet-ne-teresi-muri-ne-veri/

Ai përmendi një projekt të ri, “i cili do të jetë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Do të ketë kalim të lirshëm, do të ketë hapësira të gjelbëruara. Qëndrimi im që nga dita e parë ka qenë i qartë: duhet dialog i brendshëm dhe marrëveshje por nuk do të lejojmë as mure e as veprime të cilat janë ilegale”, shtoi Veseli.