Kadri Veseli në një takim me qytetarë - Foto: Facebook

Veseli Konteston Numrin Zyrtar të Veteranëve

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një letër drejtuar shoqatave, veteranëve e bashkëluftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se shifrat e veteranëve të luftës së fundit nuk përputhen me evidentimin zyrta që është bërë së fundi.

“Shifrat zyrtare janë shumë më të mëdha se shifrat reale. Ky është fakt dhe kjo nuk është dashur të ndodhë, në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, sepse me këtë është cenuar, në moralin e saj, vlera sublime e UÇK-së”, ka shkruar Veseli në letrën e publikuar në profilin e tij në “Facebook”.

Më tej, ai thekson se falsifikimet në listat e veteranëve përbëjnë një turp të madh, “të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës”.

“Beteja kundër falsifikatorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm të së vërtetës së UÇK-së, është betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj, ne duhet ta fitojmë pa mëdyshje atë”, ka theksuar ai.

Këtë letër Veseli e ka shkruar në prag të 18 vjetorit të demilitarizimit të UÇK-së, e cila, sipas tij, u shndërrua në vlerë shpirtërore dhe morale. “Nga ajo ditë, për secilin pjesëtarë të saj, UÇK-ja është vetëm një kapital honorifik”, ka vlerësuar ai.

“Çdo përpjekje, që është bërë, për ta shndërruar nderin në fuqi financiare apo politike, në esencën e saj, e ka dëmtuar statusin shpirtëror e moral të UÇK-së. Këto përpjekje janë shfrytëzuar maksimalisht nga armiqtë e lirisë së Kosovës për t’i dhënë jetë propagandës së tyre se çlirimtarët e djeshëm të Kosovës sot janë zhvatësit e saj. Sot, sfida jonë e përbashkët është të dëshmohet se e kundërta është e vërtetë”, ka shtuar më tej Kadri Veseli.

“Kjo sfidë kapërcehet vetëm duke respektuar parimin e njohur se meritat e të kaluarës nuk mund të shërbejnë kurrë si alibi për gabimet e të sotmes”, ka theksuar ai.

Meritat e të kaluarës, ka shtuar Veseli, nuk mund të shërbejnë kurrë për të ndërtuar imunitet personal apo grupor nga ligjet e shtetit. “Shteti është mbi të gjithë dhe i barabartë për të gjithë”.

“Kjo është mënyra më e mirë për ta mbrojtur dinjitetin e UÇK-së, e bashkë me të, edhe dinjitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka përfunduar ai.