Konferenca e MZhE-së për zhvillimin ekonomik të grave | Foto: KALLXO.com

Veseli -Grave: Për Fuqizim Ekonomik Ndërrojuani Mendjen Burrave

Ministria e Zhvillimit Ekonomik organizoi konferencën “Roli i Gruas në Zhvillimin Ekonomik” në të cilën u diskutua për pengesat që po hasin gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli theksoi se Kosova nuk ka politika të përshtatshme, veçanërisht për subvencionimin e grave dhe kreditë.

Sipas tij, gratë duhet të jenë të vendosura sepse burrave duhet ndërruar mendjen gradualisht çdo ditë.

“Aktualisht nuk i kemi politikat ekonomike adekuate, po subvencionohen në mënyrë të veçantë gratë. Si dhe te çështja e kredive ende kanë paragjykim se gratë nuk mund t’i kthejnë kreditë, por duhet të ndodhë e kundërta. Të jeni më të vendosura dhe jo vetëm njëherë në vit, se atëherë sado edhe me na gjujt me gurë neve meshkujve, pak na e ndërroni mendjen, çdo ditë nga pak”, tha Veseli.

I pari i Kuvendit ndërmarrësen nga Krusha e Madhe, Fahrie Hoti e krahasoi me Feniksin, zogun mitologjik, sepse sipas tij, ajo ndërtoi biznesin e saj pas luftës, ashtu siç u ngrit Feniksi nga hiri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se ulja e numrit të grave të paarsimuara do të ndihmonte në rritjen e të ardhurave për kokë banori.

Madje ai theksoi se pjesëmarrja e grave në sektorin e bujqësisë do të rrisë produktivitetin e këtij sektori me 20 për qind.

“Nëse do të kishte një zvogëlim të hendekut gjinor tek pjesa e arsimimit, do të kishte të ardhura për kokë banori për 30 për qind. Nëse kemi një pjesëmarrje të grave si input, atëherë do të rritet produktiviteti në sektorin e bujqësisë me 20 për qind, pra një dallim shumë i madh dhe shumë cilësor nëse kemi përfshirje më të madhe”, tha Stavileci.

Arbena Shehu, kryetare e Odës së Noterëve të Kosovës, tha se ka shumë çështje për të cilat po krijohen pengesa për gratë, por veçanërisht theksoi të drejtën për trashëgimi e cila nuk  po gjen zbatim.

“Janë disa çështje të cilat ne i mbajmë të ngurtësuara, askush nuk guxon të hapë atë temë sepse konsiderohet si temë tabu, por është koha që ne t’i thyejmë ato barriera dhe të fillojmë diskutimet. E drejta për trashëgimi është e garantuar me ligj”, tha Shehu.

Sipas saj, prona apo trashëgimia po ndërlidhet me zhvillimin ekonomik sepse zakonisht grave po u ndahet trashëgimia vetëm nga familjet me mundësi më të mira financiare dhe ky veprim sipas Shehut, kryesisht zë vend në kryeqytet dhe shumë pak në vende tjera.

Vetëm 15 për qind e pronës në Kosovë është në emër të grave, ndërsa janë në proces të ndryshimit Ligji për Noterinë, ai për trashëgiminë dhe për procedurën jokontestimore për të fuqizuar të drejtën e grave për trashëgim pasurie.

“Drejtësia në Kosovë” emisionin e së premtes ia kushtoi pikërisht këtyre ligjeve dhe të drejtës së gruas në pronë.

Ndërsa, sa i përket regjistrimit të pronës së përbashkët, Shehu tregoi që pavarësisht se ligji i familjes është në fuqi, gjykata nuk është duke e zbatuar.

“Edhe pse ligji ka qenë në fuqi, ligji i familjes, neni 50.2 e thotë që çdo gjë që fitohet në bashkësi martesore konsiderohet pronë e përbashkët e të dy bashkëshortëve, gjykata nuk e ka zbatuar këtë nen”, shtoi kryetarja e Odës së Noterëve.

“Drejtësia në Kosovë” në mars të këtij viti shfaqi emisionin për një grua në Pejë që po i reziston shitjes së njëanshme të pasurisë së përbashkët.

Blerta Thaçi, programere dhe themeluese e “Girls Coding Kosova” tha se teknologjia është puna më e përshtatshme e gjeneratave të reja, sepse duhet vetëm një kompjuter dhe internet, e këtë mundësi e kanë shumë nga qytetarët e Kosovës.

“Kjo industri është industria më e mirë dhe më e përshtatshme për gjeneratat e reja, pasi që kërkon një ambient me një kosto shumë të ulët, e cila është e përballueshme nga shumica e popullsisë tonë”, tha Thaçi.

Ajo tregoi se si veprohet në organizatën që e themeloi.

“Mënyra se si i realizojmë projektet është duke ndërtu platforma në bashkëpunim me institucionet në mënyrë që në përfundim të këtyre punëtorive, anëtaret tona përveç që pajisen me aftësi teknologjike të trendëve të fundit, ato krijojnë platforma që qytetarët mund t’i përdorin”, tha Thaçi.