Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli mban fjalim para fëmijëve - Foto: Kuvendi i Kosovës

Veseli - Fëmijëve: Mësoni Sot që Nesër të Punoni më Mirë se Ne

Në ditën Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve një delegacion i fëmijëve të UNICEF-it, Save the Children dhe të koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve janë takuar me kryeministrit Haradinaj dhe me kreun e Kuvendit, Kadri Veselin

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj është zotuar se Qeveria që ai drejton do të ketë zero tolerancë ndaj ushtruesve të dhunës.

“Kryeministri Haradinaj, në një diskutim të sinqertë dhe të hapur me delegacionin e fëmijëve, u zotua se kjo qeveri do të ketë zero tolerancë ndaj ushtruesve të dhunës ndaj fëmijëve, duke punuar në sigurimin e një mjedisi mbrojtës dhe pa dhunë për të gjithë fëmijët e Kosovës pa dallim. Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës është inkorporuar në strategjinë legjislative për këtë vit, dhe do të respektohet në plotni”, thuhet në komunikatë.

Haradinaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do ta ketë prioritet largimin e narkotikëve nga shkollat si dhe edukim cilësor për fëmijët.

Gjatë ditës këta fëmijë janë takuar edhe me të parin e Kuvendit, Kadri Veselin, i cili ka kërkuar nga fëmijët që të mësojnë që nesër të punojnë më shumë se sa punojnë sot zyrtarët shtetërorë.

“Ne do të kemi ligje përkatëse për mbrojtjen e të drejtave tuaja në edukim, kujdes shëndetësor, në mbrojtje nga format e diskriminimit, sepse të gjithë ju jeni fëmijët e Kosovës. Të gjithë jeni të barabartë. Duhet të rriteni dhe edukoheni të barabartë. Mbajeni në kujtesë këtë ditë. Ju nesër do të jeni deputetët dhe zyrtarët e rinj të shtetit të Kosovës. Ju do ta trashëgoni këtë shtet, të cilin e kemi ndërtuar ne, baballarët tuaj, me aq mund e sakrifica. Ne do të punojmë shumë që ju nesër të mund të krenoheni me ne. Ju mësoni shumë që nesër të punoni për Kosovën edhe më mirë se ne”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Kuvendi i Kosovës.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës, UNICEF-in, Save the Children dhe KOMF në Kosovë, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarë të Komisionit për Drejtat e Njeriut dhe deputetë të tjerë të Kuvendit.