Veseli Falënderues për Kontributin e Ish-Presidentit Rugova

Në ‘Ditën e Presidentit’ e cila shënohet më 24 maj, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, bëri homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

I shoqëruar nga tre fëmijët e ish-presidentit, pas homazheve Veseli ka bërë rrugën këmbë deri te shtëpia e Rugovës në lagjen Velania.

Veseli ka ecur nëpër mjediset e rezidencës së Ibrahim Rugovës dhe ka shikuar eksponatet e koleksionuara nga ish- Presidenti i cili vdiq në janar të vitit 2006.

Nga kjo rezidencë, Veseli ka dalë me një suvenir- një Vulë të Presidentit.

‘Dita e Presidentit’ shënohet në Kosovë në kujtim të ditës kur Ibrahim Rugova u zgjodh President i vendit në zgjedhjet e para të organizuara gjatë kohës së okupimit, më 24 maj 1992.

veseli- rugova1

Ai gjatë kësaj vizite u shpreh falënderues për punën dhe kontributin që presidenti Rugova ka dhënë për lirinë e Kosovës.

“Është zgjedhur presidenti i parë nga vetë qytetarët e Kosovës dhe në të njëjtën kohë i ka dhënë edhe një dimension ndarjes përfundimtare të rrugëtimit politik të Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë”, tha Veseli.

Ai tha që lëvizja e rezistencës paqësore dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë dy anët e një medalje të cilat e kanë sjellë lirinë, dhe ato duhet vetëm që të na bashkojnë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Në të njëjtën kohë çdo ditë duhet të mendojmë për të gjithë ata të cilët kanë dhënë diçka kontribut dhënëse për shtetin tonë, në të njëjtën kohë ky respekt u takon veçanërisht dëshmorëve, heronjve, martirëve, por gjithsesi edhe gjithë atyre njerëzve që me sakrificën e tyre kanë treguar vërtet një qëndrueshmëri të pa epur sepse kanë besuar  në qëllimin tonë më të shenjtë siç ka qenë liria e Kosovës”, u shpreh ai.

Ai tha që së bashku me familjen Rugova kanë shumë punë për të bërë që ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Kemi edhe shumë për të bërë bashkërisht për të mirën e qytetarëve tanë, për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë, dhe të njëjtën kohë edhe për kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirin dhe pavarësinë e vendit”

Ndërkaq djali i ish-presidentit Rugova, Mendim Rugova falënderoj kryetarin për vizitën dhe homazhet tek varri i ish-presidentit

“E falënderojmë kryetarin e parlamentit që sot në këtë ditë  të veçantë ka gjetur kohë që të bëjë homazhe edhe te presidenti por edhe ta vizitoj familjen tonë”, tha ai.