Shënimi i përvjetorit të pavarësisë së Izraelit - Foto: KALLXO.com

Veseli: E kemi obligim ta kemi sinagogën në qendër të Prishtinës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha sot se institucionet dhe populli i Kosovës e kanë obligim ta kenë sinagogën në qendër të Prishtinës.

Këto komente, kreu i Kuvendit i bëri në shënimin e përvjetorit të 70-të të pavarësisë së Izraelit.

Veseli tha se ka ndihmuar dhe do të ndihmojë çdo bashkësi fetare në Kosovës.

“E kemi ndërtuar një prej kishave më të bukura, në Llapushnik. Jam i angazhuar që sa më shpejt besimtarët e besimit islam të mos falen në rrugë, sikur në “Dardani”, por në xhami. E kemi obligim si institucione dhe si popull i Kosovës ta kemi sinagogën në qendër të Prishtinës”, tha Veseli duke kujtuar se dikur në qendër të kryeqytetit ka qenë një sinagogë, e rrënuar nga regjimi komunist.

“Besoj se shumë shpejt Komuna e Prishtinës do të japë lejen për ndërtimin e kësaj sinagoge në qendër të qytetit, ku besimtarët do të kryejnë ritet në mënyrën më dinjitoze”, shtoi ai.

Po ashtu, kryekuvendari tha se do të thellojnë bashkëpunimin mes popullit tonë dhe atij të Izraelit, duke shpresuar se shteti i Izraelit do t’i kalojë të gjitha barrierat dhe do ta njohë shtetin e Kosovës.

“Do jemi përkrah çdo populli liridashës dhe popullit hebre”, tha Veseli.

Ndërkaq kryetari i bashkësisë hebraike “Bet Israel Kosova”, Ruzhdi Shkodra, kërkoi nga institucionet shtetërore që ta ndërtojnë sinagogën në Prishtinë sepse sipas tij tash e dhjetë vite kërkesat e tyre nuk janë realizuar.

“Kërkesat tona qe 10 vite për ndërtimin e sinagogës nuk janë realizuar. Kërkoj që të ushtroni autoritetin tuaj në institucionin për ndërtimin e sinagogës në Prishtinë”, tha ai.

Ndërsa, mysafiri nga Zurich, Daniel Triel, me origjinë hebraike, ka treguar për ndihmën që iu është ofruar shqiptarëve në Zvicër nga nëna e tij, Alice Triel, gjatë kohës që shqiptarët kanë shkuar në Zvicër si refugjatë.

Izraeli akoma nuk e ka njohur Kosovën si shtet.