Foto: RTV 21

Veseli: Drama e Demarkacionit Përfundon Sot

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli,  është takuar me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Pas këtij takimi, shefja e Zyrës së BE-së Apostolova tha se sot është ditë e rëndësishme për Kosovën, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë për demarkacionin duke u mundësuar kështu qytetarëve lëvizje të lirë në zonën Shcengen.

“Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën ku një ngjarje e cila që një kohë të gjatë ka gjasë të përfundohet, pra është marrëveshja për demarkacionin. Kjo është një nga dy kriteret dhe thërras politikanët që të mos i mbajnë qytetarët e tyre të izoluar drejt integrimit në BE”, tha Apostolova.

Ajo tha se gjatë këtij takimi është biseduar për punën e asamblesë në javën dhe muajin kur do të publikohet Raporti i Progresit për Kosovën.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas këtij takimi tha se sot do të ratifikohet marrëveshja për demarkacion, ndërsa paralajmëroi që nuk do ta lejojë askënd të dëmtojë rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“ Tri vite i kemi përjetuar ato që ndoshta nuk është dashur t’i përjetojmë bashkërisht. Ka ardhur momenti ta përfundojmë këtë dramë. Kjo dramë do të përfundojë në ditën e sotme. Në ora 11:00 do ta votojmë marrëveshjen për shënjimin e kufirit, e cila do të thotë forcim të sovranitetit dhe në të njëjtën kohë forcim partneriteti me Bashkimin Europian, liberalizim i vizave, hapje e perspektivës së qytetarëve tanë, shtetit tonë drejt integrimit në BE”, tha Veseli.

Kryeparlamentari tha se Kosova ka sakrifikuar shumë, andaj sipas tij “nuk do të lejojmë që për ego të askujt mundi i joni të shkojë huq”, tha Veseli.

Kuvendi i Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka tentuar për herë të katërt të votojë marrëveshjen për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.  Për afro nëntë orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar në seancën e së martës për marrëveshjen e demarkacionit, e cila më pas u shty për ditën e mërkurë kur pritet të iniciohet procedura për votimin e saj.