Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Veseli: Dekada e re ka kuptim vetëm pa viza

Duke komentuar Raportin e Progresit për Kosovën, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli konstatoi se dekada e re ka kuptim vetëm pa viza.

“Në këtë fazë, nuk ka asgjë më të rëndësishme në agjendën evropiane për Kosovën sesa udhëtimi i qytetarëve tanë në Zonën Shengen”, shkroi Veseli në facebook.

Ai konstatoi se udhëtimi pa viza i kosovarëve “do të krijojë mundësi më të mëdha për transformimin e politikës, të shoqërisë dhe ekonomisë”.

Për Veselin “dekada e re ka kuptim vetëm pa viza në Europë dhe zbatimi i MSA-së dhe ERA-së do të hyjnë në një dinamikë të re kur nuk do të ketë barriera të pakuptimta të lëvizjes së lirë”.

Kryetari i Kuvendit u zotua se institucionet do të merren me problemet që i ka identifikuar Raporti i Progresit.

“Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat dhe kritikat që janë identifikuar në raportin e BE-së pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë”, shkroi Veseli.

Dje u publikua Raporti i Progresit për Kosovën dhe vendet tjera që synojnë BE-në, ndërsa shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova konstatoi se Kosova nuk ka përparuar ashtu si është pritur.

http://kallxo.com/apostolova-kosova-nuk-ka-pasur-perparim-sic-kemi-pritur/