Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Vërtetohet Pafajësia e Kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale

Ilir Dushi përfundimisht më nuk do të përballet me organet e drejtësisë për akuzat e Prokurorisë sa ishte në cilësinë e kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurores së rastit, Dulina Hamiti.

Deri tek ankesa e prokurores në shkallë të dytë ka ardhur pasi që shkalla e parë e kishte aprovuar kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës.

Bashkë me Dushin, akuzoheshin edhe Remzie Thaqi, Rifat Muriqi, Lendita Fetahu dhe Lindita Avdyli, për të njëjtën vepër penale, atë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, të cilëve po ashtu iu vërtetua pafajësia.

Nikë Shala, avoakti i Ilir Dushit për KALLXO.com tha se aktvendimi i shkallës së parë ka qenë i drejtë me rastin e aprovimit të kërkesës për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja. Po ashtu, sipas tij, drejtë ka vepruar edhe Apeli kur ka refuzuar ankesën e prokurores ndaj aktvendimit të shkallës së parë.

“Aktakuza e Prokurorisë Themelore nuk përmban asnjë provë e cila vërteton dyshimin e bazuar mirë, dhe se Ilir Dushi në cilësinë e kryeshefit të Agjencionit Kosovar për Produkte Medicinale ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij dhe ka nxjerrë vendim duke u bazuar në dispozitat ligjore. Kjo e rritë besimin dhe sigurinë juridike të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë, sepse vetëm me vendime të drejta dhe të bazuara në ligj vërtetohet paanshmëria dhe objektiviteti në punën e tyre”, tha avokati.

Aktakuza ishte ngritur më 18 tetor të vitit 2016.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria pretendonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale në fjalë, ashtu që Dushi në cilësinë e kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), kishte nxjerrë vendim për të formuar komisionin për verifikim të kushteve për praktika më të mira të prodhimit (PMP-së) për prodhuesin vendor “Tre Pharm”, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, standard ky i cili në shtetin tonë nuk është i pranuar me asnjë ligj.

Ndërkaq, katër inspektorët e AKPM-së Thaqi, Muriqi, Fetahu dhe Avdyli, akuzoheshin se pasi që kishin inspektuar subjektin “Tre Pharm”, kishin konstatuar se mund t’i lëshohet certifikata për Praktika të Mira të Prodhimit edhe pse Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale nuk ka pasur akte nënligjore të aplikueshme mbi kriteret se çfarë duhet të plotësojnë subjektet farmaceutike që të pajisen me certifikatë.