Ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq - Foto: KALLXO.com

I Vërtetohet Dënimi Kryetarit të Komunës së Kllokotit

Kolegji penal i kësaj gjykate i  ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë dhe avokatit mbrojtës kundër aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata Themelore e Gjilanit më 14.11.2016.

I akuzuari Sreçko Spasiq është shpallur fajtor pasi që në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit ka tejkaluar autorizimet e tij në atë mënyrë që, me datë 3 shkurt 2014, ka nxjerrë aktvendimin me numër protokolli 4134/1, me të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar të dëmtuarin  T.S. nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Fillore “Marko Rajkoviq” në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 dhjetor 2015, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Po të njëjtën ditë, më 3 shkurt 2014 ka nxjerrë edhe aktvendimin me numër protokolli 4133/1, të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar dëmtuarin B.D. nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Ekonomike – Teknike në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 dhjetor 2015.

Me këtë i akuzuari Sreçko Spasiq ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike, nuk ka bërë shkeljeje të dispozitave të procedurës penale si dhe ka aplikuar drejtë ligjin penal.

Po ashtu, kjo gjykatë vlerëson se nuk qëndrojnë as pretendimet e mbrojtësit për dënim më të butë   ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vlerësuar rrethanat  e kryerjes se veprës penale si dhe ka marrë parasysh rregullat e përgjithshme për matje te dënimit.

KALLXO.com ka raportuar nga seanca kur është dënuar Sreçko Spasiq.

http://kallxo.com/denohet-kusht-kryetari-kllokotit/

Më 7 maj të vitit të kaluar, Spasiq ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndonin mbi të.

http://kallxo.com/kryetari-kllokotit-ndjehet-pafajshem-2/