Nga gjykimi në Rastin "Badovci" | Foto: KALLXO.com

Vërtetohen Dënimet e Rastit ‘Badovci’

Gjykata e Apelit bëri të ditur sot me anë të një komunikate që refuzoi ankesat e avokatëve të pesë të akuzuarve në Rastin “Badovci”.

“Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara më 29.11.2016, ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve B.L.,G.H.,M.H.,E.L. dhe F.M. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.07.2016 është vërtetuar,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Arbër Jashari, zëdhënësi i Apelit.

Avokatët e Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës e Enis Latifit ishin ankuar në Gjykatën e Apelit në lidhje me dënimin që Gjykata Themelore në Prishtinë iu shqiptoi të mbrojturve të tyre, me arsyetimin se themelorja e mori këtë vendim me vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Por Gjykata e Apelit në arsyetimin e vendimit për refuzim të ankesave të avokatëve, vendimin e themelores e konsideroi në pajtim me ligjin.

“Gjykata e Apelit konstatoi se pretendimet e avokatëve mbrojtës për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndrojnë dhe si të tilla janë të pabazuara. Po ashtu kjo gjykatë vlerëson se gjykata themelore e ka aplikuar drejt ligjin penal,” sqaron komunikata.

Apeli konstatoi se themelorja dënimet i shqiptoi në përputhje me rrezikun shoqëror që paraqisnin të akuzuarit.

“Gjykata themelore të akuzuarve u ka shqiptuar dënime të cilat janë në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore dhe shkallen e përgjegjësisë penale të të akuzuarve,” thuhet në komunikatë.

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa Fehmi Musa për ndihmë për për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.

Më 18 korrik Besnik Latifi u dënua me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, MIlazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet, ndërsa Fehmi Musa me 4 vjet burg.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.